Problemet e krizën qeveritare, krizës parlamentare dhe ato që lidheshin me problemet e mbartura nga zgjedhjet e 12 Tetorit të vitit 2003 ishin objekt i intervistës së ish-liderit të Partisë Demokratike Sali Berisha në emisionin “Opinion”, realizuar më datë 20 Nëntor të vitit 2003.

Për rreth 10 ditë në atë periudhë Parlamenti i Shqipërisë nuk arrite të realizonte seancat për shkak të vendimit të opozitës. Lidhur me këtë fakt ish-kreu i PD, përballë gazetarit Blendi Fevziu tha se përpara se opozita të niste këtë “aksion” i kishte bërë të ditur Presidentit situatën, të cilën ata e cilësonin si të pa tolerueshme. Sipas Berishës detyrën për ta zgjedhur krizën në vend e kishte Presidenti i Republikës në atë kohë, Alfred Moisiu.

“Gjeneratori i krizës në Shqipëri prej disa muajsh mban peng qeverisjen. Një muaj më parë, para se të nisnim këtë aksion të detyruar i bëra të ditur Presidentit se kjo situatë ishte e pa tolerueshme.  I bëra të ditur Parlamentit se është dhunuar kushtetuta, se parlamenti nuk lejon vakum. Asnjë nen nuk është respektuar në qeverinë shqiptare dhe askush nuk merr përsipër ta zgjidhë këtë. Unë paralajmërova se synimi i njeriut krizë, i politikanit më primitiv në historinë e Ballkanit dhe Evropës ka për qëllim të dëshmojë se kemi një kryetar shteti të pafuqishëm. Ky njeri është Fatos Nano dhe e ka realizuar qëllimin. Ai ka humbur votëbesimin dhe një grup i deputetëve të tij nuk e votojnë më dhe këtë ia kanë bërë të qartë. Nano gjeti një patericë të vetën dhe për t’i bërë presion këtij grupi shpalli atë që u quajt “porno aleanca”, e kam fjalën për atë me Pollon. Aleanca mes tyre provon në mënyrë profetike atë që unë kam thënë për Pollon, për Nanon etj. Ka një përçare dhe kjo përçarje duhet të zgjidhet. Në këtë situatë detyrën për ta zgjedhur krizën e ka Presidenti i Republikës. Ne nuk bëjmë dot mocion mosbesimi sepse mocioni i mosbesimit bëhet kur ke shumicë. Opozita është e cituar në kushtetutë dy herë. Askush më shumë se Presidenti nuk ka përgjegjësi për zgjedhjen e krizës. Ai është kryetar i pushteteve dhe shteti ndërtohet nga pushtetet. Ai mund të thotë që nuk e lejon vendin pa ministër të Jashtëm, nëse kryeministri nuk reagon atë herë zgjidhja është të bëhen zgjedhje të reja. Presidenti nuk mund të pranojë vendin me këtë qeveri që nuk është qeveri. Nuk mund të heshtë një kryetar shteti kur kushtetuta dhunohet”, tha Berisha.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012