Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zgjedhur ditën e fundit të vitit për të sulmuar ashpër qeverinë e kryeministrit Fatos Nano dhe ka deklaruar se marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës nuk është respektuar nga Partia Socialiste.

Sali Berisha: U nënshkrua dhe një marrëveshje e rëndësishme, u bënë edhe disa ndryshime fillestare, por marrëveshja nuk u respektua. Ky vit është një vit tjetër që provon se dhunimi i vullnetit të qytetarëve shqiptarë është garancia e dështimit dhe e legjimitetit të qeverisjes. Gjatë këtij viti u ndërruan tre qeveri ndaj dhe mund të cilësohet pa mëdyshje si viti i dështimit të qeverisjes.

Zoti Berisha pas kësaj analize të shkurtër që i bëri këtij viti ka uruar të gjithë shqiptarët për një vit të ri të mbarë në familjet e tyre.

Sali Berisha: I ftoj të gjithë bashkëkombësit bashkëqytetarët e mi që në ndërrim të vitit të ngremë së bashku një dolli për veten dhe njëri tjetrin. Të urojmë një vit të gëzuar më të begatë, më të lumtur, më të mbarë, me më shumë shëndet dhe mirëkuptim dhe ti urojmë së bashku Shqipërisë, kombit shqiptarë dhe miqve tanë kudo në botë gëzim edhe mbarësi!

Pas urimit publik zoti Berisha kishte organizuar edhe një pritje modeste për gazetarët, që kanë përcjellë gjatë këtij viti ngjarjet dhe aktivitetet e Partisë Demokratike. Ai ka shuar kureshtjen e rastit se Vitin e Ri do e kalonte në shtëpi si gjithmonë me familjen e tij për të cilët ka përgatitur edhe dhuratat./tvklan.al