Pas vetëdorëzimit të Ervin Salianjit në Policinë e Tiranës, deputeti demokrat Bledjon Nallbati në një prononcim për Klan News është shprehur se ky dënim nuk është vetëm për Salianjin, por për çdo qytetar.

Nallbati theksoi se trupa gjykuese ka dhënë një vendim që sipas tij është paralajmëruar nga Kryeministri Rama në 12 Shtator në Parlament.

Bledjon Nallbati, deputet i PD: Ajo gjykatë, ajo trupë gjykuese dha një vendim të dhënë nga Edi Rama në Parlament në datën 12 Shtator, por përveç kësaj në momentin që Edi Rama dhe kjo qeveri nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ka më kuptim që askush të respektoj vendime dhe ligje të dala nga kjo maxhorancë për aq kohë sa nuk respektohen vendimi i Gjykatës Kushtetuese që është gjykata supreme e këtij vendi. Megjithatë vendimi ishte personal i zotit Salianji. Është një akt kurajoz për t’i thënë kësaj qeverie se nuk ka frikë nga e vërteta, që nuk mund t’ja mbyllin gojën dhe se do të vazhdojë ta bëjë betejën nga këtu. E gjitha kjo nuk është një dënim për Salinajin, por një mesazh i qartë për këdo në këtë vend. Me atë vendim drejtësia e komanduar e Edi Ramës i ka thënë çdo shqiptari që ju kam vënë një palë pranga në xhep dhe kush guxon e shan partinë shtet si 30 vite më përpara, shkon në burg.

Ndër të tjera deputeti Nallbati ka thënë se opozita do të vazhdojë betejën në çdo formë, ku nuk do të mungojnë protestat e bllokimet e rrugëve.

Bledjon Nallbati, deputet i PD: Në të gjitha format nuk ka diskutim që beteja jonë do të vazhdojë me një marrëdhënie komplet tjetër me Parlamentin, me qeverinë dhe të gjitha institucionet e këtij shteti. Do të vazhdojë me protesta të vazhdueshme, bllokime aksesh dhe me të gjitha format e tjera që ne do të vendosim bashkarisht në mbledhjet e grupit.

/tvklan.al