Ervin Salianji ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku është pritur nga mbështetës të shumtë, të cilët e kanë përshëndetur para se ai të vetëdorëzohej.

Salianji ka zgjedhur që të mbajë një fjalë të shkurtër para mbështetësve të tij, të cilëve u ka thënë se në përballje me regjimin secili merr kostot e tij.

Në fund të fjalës së tij para se të vetëdorëzohej, Salianji u shpreh me bindje se do i çmontojnë banditët teksa ka shtuar se dita e demokratëve do të vijë.

Ervin Salianji: Në përballje me regjimin, secili merr kostot e tij. Unë e di se shumë prej miqve që janë mbledhur këtu në mënyrë rastësore apo shumë qytetarë dhe demokratë kanë vuajtur represionin e qeverisë, e vuajnë në mënyrë të përditshme që ju bën nëpërmjet institucioneve, vjedhjeve, tatimeve, policisë, nëpërmjet varfërisë që ka mbjellë kudo dhe nëpërmjet banditëve që ka mbjellë kudo. Ne do i çmontojmë banditët dhe dita e demokratëve dhe qytetarëve do të vijë!

Kujtojmë se ditën e djeshme (26 Shtator 2024), Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg për çështjen “Babale”.


/tvklan.al