Salianji: Kallëzim në SPAK për Fatmir Xhafajn dhe Edi Ramën për manipulim provash

Ervin Salianji doli përpara gazetarëve për të lajmëruar se në pritje të burgosjes së tij, ka nënshkruar së bashku me kryetarin e grupit parlamentar një kërkesë padi drejtuar SPAK-ut për hetim pasuror ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Sipas tij, ky hetim duhet të kishte nisur nga vetë struktura e posaçme kohë më parë bazuar në ligjin antimafia.

“Pse SPAK i sotëm nuk e ka bërë hetimin pasuror? Pse do thoni ju? Sepse ligji nuk është i barabartë për të gjithë. Sepse për Fatmir Xhafën që është drejtues i një komisioni të posaçëm që do të kapë edhe pjesë të SPAK-ut dhe të drejtësisë që sot janë ishuj të pakapur nga qeveria, ligji nuk funksionon. Është një copë lecke”, tha Salianji.

Ndërkohë të hënën ai paralajmëron se do të ketë një tjetër kallëzim penal në emër të Partisë Demokratike, kësaj here i akuzuar do të jetë dhe vetë kryeministri Rama.

“Për falsifikimin e procesit gjyqësor ndaj meje duke akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion, për pengim të zbulimit të së vërtetës shtetasit Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Ardi Veliaj, Gentian Osmani”, tha ai.

Sa i takon vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit burg ashtu si një ditë më parë përsërit se ishte vendim politik i urdhëruar nga Edi Rama.

“Si ka mundësi që të gjithë ata që u prishin skemën e vjedhjes dhe shkatërrimin e vendit, shkojnë në burg? Nuk do të dorëzohemi”, tha ai.

A pretendon Salianji se përpara se të shkojë në qeli duhej marre autorizim nga Kuvendi

“Nëse do të ishte një i PS-së jo vetëm do të kishte këshill mandatesh, jo vetëm do kishte vota kundër po do çohej për interpretim te Komisioni i Venecias”, tha Salianji.

Partia Demokratike sipas Salianjit ka njoftuar të gjitha kancelaritë e huaja se dënimi i tij i paprecedentë ishte vetëm hakmarrje politike për denoncimet e krimit të organizuar dhe lidhjeve me qeverinë Rama.

Pranon se ka komunikuar pas vendimit të gjykatës me të gjithë krerët e partive opozitare, përfshirë dhe Lulzim Bashën, i cili i dha në 2018 detyrën për ta bërë ai denoncimin për çështjen “Babalja” për të cilën Gjykata e dënoi ditën e enjte se kreu një kallëzim të rremë.

Tv Klan