Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në një deklaratë për shtyp këtë të martë u shpreh se qeveria ka dështuar në plotësimin e një prej kushteve kryesore të Bundestagut për nisjen e negociatave, atë për luftën kundër krimit të organizuar.

Pasi bëri publike një reportazh të medias italiane Rai 3 mbi kanabisin, Salianji u shpreh se kjo vërteton se Shqipëria mbetet Kolumbia e Europës.

“Dëshmia e sjellë nga Rai 3 dëshmon dështimin e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt në plotësimin e një prej kushteve kryesore të Bundestagut për nisjen e   negociatave- luftën kundër krimit të organizuar. Në Shqipëri, krimi i organizuar jo vetëm nuk po luftohet, por, i mbrojtur nga partia në pushtet, është shndërruar në lojtar  kryesor në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Prej 6 vjetësh, nuk ka asnjë bos të krimit të organizuar në burg. Nuk ka asnjë bos të trafikut të drogës të arrestuar. Burgjet e Sandër Lleshajt kanë mbushur me opozitarë që protestojnë kundër qeverisë së lidhur me krimin dhe me të varfër që punojnë parcelat me kanabis”, tha Salianji.

Ai u shpreh se Rama favorizon trafikantët e drogës për interesin e tij personal politik. Salianji deklaroi se lufta ndaj krimit është prioritet kryesor i PD-së./tvklan.al