Kryeministri Edi Rama është i bindur se jo vetëm për të, por edhe për të gjithë qytetarët e ndershëm, dënimi i deputetit Ervin Salianji është një lajm i mirë që i shërben së vërtetës.

Në një tjetër reagim nga Nju Jorku, kreu i qeverisë thotë se faktet e argumentat duan punë e aftësi të tjera nga aftësia për të shpifur, që sipas tij i shkon për shtat çdo humbësi në betejën politike.

“Nuk ka asnjë diskutim se për çdo njeri normal, që meriton të informohet lirisht për faktet dhe të ketë mundësinë ta ndjekë jetën publike e politike, pa u marrë zvarrë nëpër lumenjtë e llumit të shpifjeve e sherreve me libër shtëpie, vendimi i djeshëm i gjykatës ishte një lajm i shumëpritur pozitiv.”

Pavarësisht se deputeti Salianji u vetëdorëzua për të vuajtur dënimin e dhënë, Rama në reagimin e tij thotë se kundërvënie ndaj vendimit ndaj vendimit të gjykatës tregon dallimin mes socialistëve dhe demokratëve.

“Heroizimi i një krijuesi rrethanash të rreme për të sulmuar publikisht një kundërshtar politik, duke çoroditur me muaj të tërë opinionin publik me një fushatë të egër shpifjesh përmes telenovelës “Babale”, si edhe kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë që bazohet në ligjin kundër veprës penale të kallzimit të rremë, flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve nën Penxheren e Katit të Tetë të pakicës!”

Duke u ndalur te vepra për të cilën Salianji u dënua, kreu i qeverisë thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për një shpifje, por për sajimin e një historie për të dëmtuar dikë tjetër.

“Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie.”

Kreu i qeverisë thotë se “Jo më kot shpifja konsiderohet në të gjithë librat e shenjtë si një mëkat gati i barabartë me vrasjen e tjetrit”. Ndaj i sigurt se gjykata ka bërë drejtësi, kreu i qeverisë i kujton opozitës sesa larg realitetit është dhe se e meriton plotësisht vendimin e hidhur që sipas tij populli do ti japë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Tv Klan