Deputeti Ervin Salianji denoncoi disa udhëtime që kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka bërë bashkë me ish-trafikantin e drogës, Edmond Bega. Salianji tha se faktet i ka siguruar nga sistemi TIMS dhe janë provë e lidhjeve të ngushta të Ballës me ish-trafikantin e drogës Edmond Bega, me të cilin ka udhëtuar dhjetëra herë jashtë vendin.

“Deputeti socialist Taulant Balla rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit mbi 25 herë me trafikantin e drogës Edmond Bega. Është fakt që Taulanti nga Librazhdi, gjatë historikut të udhëtimeve, gjatë periudhës që qeverisë Edi Rama, ka përdorur plot 18 herë CHARTER-in për udhëtime jashtë Shqipërisë, ku nuk mungojnë edhe udhëtime me CHARTER nën shoqërinë e trafikantit të drogës Edmond Bega. Janë minimalisht 600 mijë euro udhëtime me CHARTER”.

Demokratët kanë disa pyetje, për të cilat kërkojnë përgjigjen e kryeministrit dhe vetë të akuzuarit prej tyre, Taulant Balla.

“Ku i gjeti Taulant Balla paratë për udhëtimet me CHARTER plot 18 herë? A janë financuar udhëtimet e tij me CHARTER nga burime të paligjshme? Kush i ka paguar paratë për fluturimin me CHARTER të Taulant Ballës? Nëse i ka paguar vetë, cili është burimi i këtyre parave? Nëse i ka përfituar si dhuratë, kush është dhuruesi? A lejohet nga ligji përfitimi i dhuratave me këtë vlerë dhe a janë deklaruar ato në ILDKPKI?”

Demokratët e vlerësojnë si shantazh ndaj qytetarëve, opozitës dhe medias, iniciativën e shumicës për miratimin e një pakete antishpifje. E gjitha kjo, sipas tyre, bëhet në bashkëpunim me ata që i quajnë veglat e një prokurori, të cilët nuk hetojnë dhe nuk dënojnë aferat e përfaqësuesve të shumicës socialiste.

Kryeministri deklaroi se do të hedhë në gjyq dhe do të kërkojë dëmshpërblim financiar për çdo politikan, gazetar apo komentues të rrjeteve sociale, për çdo akuzë që socialistët mund ta cilësojnë si shpifje ndaj tyre.

Tv Klan