Para se autoritetet policore të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit burg, deputeti demokrat Ervin Salianji sqaroi edhe një herë në emisionin “Opinion” në TV Klan se është dënuar pa asnjë provë dhe fakt.

Ervin Salianji: E kam thënë, nuk e njoh frikën dhe ky dënimi për këtë ishte. Është një medalje, më e larta që ka ky regjim pa asnjë akuzë dhe asnjë fakt penal. Denoncim ndaj trafikantëve të drogës.

Sipas Salianjit, gjykata ka marrë një vendim bazuar vetëm në dëshminë e Fredi Alizotit, personi që në audiopërgjim dyshohet se ka bërë zërin e Agron Xhafajt, vëllait të Fatmir Xhafajt.

Ervin Salianji: Ore, po ku ka vend të botës që dënohet zëri i partisë, unë dënimin sot nuk e kam as për krim, as për korrupsion, as për vrasje, nuk kam pasur ndonjëherë pushtet politik apo publik, nuk kam administruar ndonjëherë tendera.

Pavarësisht këtij vendimi, Salianji u shpreh i bindur se i qëndron plotësisht denoncimit të tij.

Ervin Salianji: I qëndroj 1 milion herë. Do ta vazhdoj dhe pas. PD do të depozitojë kallëzim penal në SPAK për falsifikimin e kësaj çështje, nesër ose të hënën.

Blendi FevziuPD do të depozitojë kallëzim në SPAK për falsifikimin e kësaj çështje?

Ervin SalianjiPo, nesër ose të hënën me të gjitha provat. Do të dorëzohet për Fatmir Xhafën për hetimin e pasurisë sepse si subjekt i ligjit anti-mafia, për shkak se ka vëllain e vet të dënuar, ai duhet të ishte hetuar deri më tani. 

Ai ka sqaruar se nuk do t’i shmanget vuajtjes së dënimit, pavarësisht se e konsideron të padrejtë, ndërsa theksoi se i ishte vënë në dispozicion që sot policisë.

Ervin Salianji: Kam komunikuar sot me drejtuesit e policisë për t’u vënë në dispozicion menjëherë dhe me prokurorin e Tiranës për të ju thënë se çfarë duhet nga unë që të mos e zgjasim sepse do të fillojnë aludimet. Sapo të bëhet procedura nesër do të jem aty.

Blendi Fevziu: Si kanë reaguar familjarët?

Ervin Salianji: Patjetër që të mërzitur. Unë po them që pjesa më problematike ka qenë menaxhimi me familjarët të cilët nuk e përjetojnë njësoj, sepse unë nuk kam pasur problem vetë.

Tv Klan