Skeptik se do të jetë gati brenda Shtatorit

Vaksina kundër COVID-19 pritet jetë gati jo më herët se fundi i këtij viti, siç u shpreh neurokirurgu shqiptar në Madrid, Kita Sallabanda në një intervistë për lajmet e televizionit Klan.

“Kam frikë që në muajin Shtator vaksina nuk do të jetë gati. Mendoj që këtë vaksinë do ta kemi gati në fund të këtij viti”.

Komenti i tij lidhet edhe me vaksinën që po zhvillohet nga një grup shkencëtarësh të Universitetit të Oksfordit, të cilët janë optimistë se në muajin Shtator, produkti i tyre do të jetë gati për imunizimin e popullatës.

Madje vetë, qeveria britanike, ato të disa vendeve europiane dhe e Shteteve të Bashkuara kanë porositur në total deri 400 milionë doza, nëse vaksina rezulton efektive. Megjithatë, neurokirurgu Sallabanda flet për rezultate mjaft pozitive për një vaksinë që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.

“Kam pasur rastin të njihem nëpërmjet një video-konference me një qendër të studimit të Shteteve të Bashkuara ku po punojnë për zbulimin e një vaksine. Ata janë në një fazë më të avancuar. Ata kanë bërë prova në njerëz me rezultate shumë pozitive. Kam vënë re që pas injektimit të vaksinës, imuniteti tek këta njerëz është rritur shumë dhe sa më tepër me një dozë akoma më të madhe, akoma më tepër është rritur imuniteti”.

Organizata Botërore e Shëndetsisë thotë se deri më tani janë duke u testuar tek njerëzit të paktën 10 vaksina.

Tv Klan