Shkrimtari Salman Rushdie ka reaguar për herë të parë pas sulmit me thikë ndaj tij në një event në Nju Jork.

Në një intervistë me “The  New Yorker”, ai është shprehur se ishte “me fat… ndjesia ime kryesore është mirënjohja”.

Shkrimtari u sulmua në skenë Gushtin e kaluar teksa mbante një fjalim dhe qëndroi 6 javë në spital. Si pasojë, ai humbi shikimin në njërin sy. Rushdie është përballur shpesh me kërcënime për vdekje prej librit të tij “Vargjet satanike”.

Në intervistë ai thotë: “Kam qenë më mirë. Por duke marrë parasysh çfarë ndodhi, nuk kam qenë keq. Plagët e mëdha janë shëruar. Kam ndjeshmëri në gishtin e madh dhe atë tregues si dhe në gjysmën e poshtme të pëllëmbës së dorës. Po bëj shumë terapi për dorën dhe më kanë thënë që po ia dal mirë”.

Megjithatë shton se është e vështirë të shkruajë e shtypë në tastierë për shkak të humbjes së ndjeshmërisë në disa prej gishtave.

Mund të ngrihem në këmbë dhe të eci. Kur them jam mirë, e kam fjalën që janë disa pjesë të trupit tim për të cilat duhen kryer rregullisht kontrolle mjekësore. Ishte një sulm kolosal”, i referohet ai plagëve në qafë e bark.

Autori shtoi se ka trauma dhe po mendon sërish qasjen e tij ndaj sigurimit, pa të cilin ka jetuar për mëse dy dekada. “Ekziston diçka si stresi post-traumatik. E kam shumë, shumë të vështirë të shkruaj. Ulem të shkruaj dhe nuk ndodh asgjë. Shkruaj, por është një përzierje zbrazëtie dhe kotësie, gjëra që i shkruaj dhe i fshij ditën tjetër. S’jam ende gati, vërtet”, përfundon ai./tvklan.al