Ministri i brendshëm i Italisë kërcënoi se do të ngrejë akuza ndaj ekuipazhit të një anieje për shpëtimin e imigrantëve, së cilës i ishte ndaluar të ankorohej në një port italian.

Anija “Sea Watch 3” u ankorua në brigjet e Siçilisë të enjten e kaluar, pasi kishte shpëtuar disa ditë më parë 47 imigrantë në Detin Mesdhe. Anijes ju lejua ankorimi për shkak të motit të rrezikshëm.

Ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka refuzuar të hapë portet e Italisë për hyrjen e imigrantëve. Ai është udhëheqës i partisë së të djathtës ekstreme në pushtet dhe ka zbatuar politika që nuk moslejojnë ankorimin në portet italiane të anijeve që shpëtojnë imigrantë në Detin Mesdhe. Salvini e akuzon ekuipazhin e anijes “Sea Watch 3”, që operohet nga organizata humanitare gjermane “Sea Watch”, për angazhim në trafikun e njerëzve.

Një grup ligjvënësish italianë inspektuan të dielën anijen “Sea Watch 3”, dhe thanë se të 47 imigrantët që ndodheshin atje ishin të rraskapitur dhe kishin vetëm një banjo.

Francesco Rocca, presidenti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, bëri sot një deklaratë, ku i bënte thirrje qeverisë italiane të lejojë që imigrantët në anijen “Sea Watch 3”të zbrisin nga anija për të marrë ndihmën e nevojshme. “Ata janë njerëz, jo thjesht numra”, – tha ai./VOA