Salvini kërkon sërish kampe në Tunizi e Shqipëri

Salvini kërkon sërish kampe në Tunizi e Shqipëri

08:40 19/07/2019

Rikthehet debati për refugjatët

Shqipëria dhe Tunizia u rikthyen sot në tavolinën e ministrave të Brendshëm evropiane, që u mblodhën në Helsinki për të vendosur për fatin e refugjatëve. Të dy vendet, njeri afrikan dhe tjetri ballkanik, janë cilësuar si shtete të sigurta të origjinës nga ministri italian, Matteo Salvini, në përpjekje për të hequr nga Italia si port i parë mbërritjen e mijëra refugjatëve afrikanë.

“Për herë të parë ne dhe Malta paraqitëm një propozim të përbashkët që u përkrah edhe nga shtete të tjera që nuk i kundërvihet, por integrohet me propozimin franko-gjerman. Ne duhet të punojmë me një angazhim koherent politik dhe financiar për të zbatuar marrëveshjet e zbarkimit dhe qendrat e pritjes në vendet e treta jashtë BE-së. Unë firmos kurrë një dokument që përcakton se të gjithë refugjatët e shpëtuar në det të vijnë në shtëpinë time”, tha Salvini.

Plani i Salvinit u kundërshtua fillimisht nga Franca dhe Gjermania që flisnin për Malten dhe Italinë si portet e para të afërta dhe të sigurta për zbarkimin e refugjatëve afrikanë të mbetur në det. Pas debateve me homologët italianë e maltezë ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer e pranoi idenë që refugjatet afrikanë të mund të priten edhe në porte jashtë BE-së.

“Besoj se refugjatët e shpëtuar nga kalimi i rrezikshëm i Mesdheut duhet të sillen në një port të sigurt, por ky jo domosdoshmërisht të jetë një port evropian. Shpresoj t’i japim fund “procesit të dhimbshëm” të javëve të fundit ku refugjatëve iu është dashur të durojnë “8 ose 14 ditë larg bregdetit” nën përkeqësimin e kushteve humanitare. Ky trajtim është thjesht i padenjë për Europën.”

Klan Plus

Të ngjashme
UKT