Fryma populiste e Mateo Salvinit po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje jo vetëm në Itali, por edhe në gjithë Europën. Sondazhet tregojnë se zgjedhjet europarlamentare të 26 Majit pritet ta konsolidojnë Lega Nordin si forcë të parë politike në Itali, por edhe si parti të dytë për nga numri i deputetëve në Parlamentin Europian.

Lega Nord pritet të marrë 26 deputetë në zgjedhjet europarlamentare, 20 më shumë se në mandatin që po mbyllet. Euroskeptikët e djathtë italianë pritet të shndërrohen kështu në forcën e dytë politike në këtë parlament, pas kristiandemokratëve dhe socialkristianëve gjermanë, të cilët edhe këtë herë parashikohet të jenë të parët me 30 deputetë.

Koalicioni i Europës së Kombeve dhe Lirisë, ku bën pjesë edhe Lega Nord, pritet të kenë rritjen më të madhe në legjislaturën e re me 25 deputetë më shumë. Rënie të konsiderueshme të numrit të deputetëve pritet të kenë Partia Popullore Europiane dhe Social-Demokratët, dy grupimet më të mëdha aktualisht, të cilëve do t’u duhet të zgjerojnë gamën e partive të koalicionit për të ruajtur shumicën, për të cilën nevojitet 376 deputetë.

Tv Klan