Samir Mane nuk është vetëm një biznesmen i suksesshëm. Përtej kostumit të biznesmenit ai është bashkëshort i dedikuar dhe një baba shembullor i katër fëmijëve.

Këtë të hënë, Samir Mane u rikthye për herë të dytë në programin “Në Kurthin e Piter Pan”, si i ftuari special i puntatës së fundit të këtij programi kaq të dashur për publikun.

“E pranova me kënaqësi ftesën dhe jam shumë i lumtur që jam prapë me ju”, tha Mane i cili me fëmijët ndau momente nga jeta e tij.

Fëmijët e “Piter Pan” kërkuan të dinin prej biznesmenit për binjakët e tij, por edhe për bashkëshorten.

Priami: Unë këtu te “Piter Pani” jam njohur me një gocë, po ti ku je njohur me gruan tënde?

Samir Mane: Je njohur me një gocë? A mund t’ia thuash emrin?

Priami: Të vij ta them te veshi se s’mund ta them këtu.

Samir Mane: E kemi sekret.

Alketa Vejsiu: Vetëm unë e populli.

Samir Mane: Jam shumë i kënaqur për zgjedhjen tënde. Unë nuk e kam njohur gruan në moshën tënde, e kam njohur kur kam qenë më i madh, e kam njohur në Vjenë të Austrisë, aty jemi njohur bashkë. Kështu që përgjigjia është në Vjenë para shumë vitesh. Por ndërkohë sekretin që më the mua mbaje.

Alketa Vejsiu: Sa vite keni bashkë?

Samir Mane: 30 vjet.

Alketa Vejsiu: 30 vjet sukses, 30 vjet martesë e suksesshme. Kjo po që është një arritje shumë e mirë!

Sa i përket fëmijëve, Mane thotë se të kesh 4 fëmijë është shumë bukur.

Roani: Ti ke dy binjakët si ne të dy… Mami thotë i ngjajmë asaj, babai thotë i ngjajmë atij, po ty nga binjakët kush të ngjan më shumë?

Samir Mane: Unë mendoj që më ngjajnë të dy. Kur vjen puna tek binjakët jemi njësoj, edhe unë edhe babi yt. Unë mendoj gjithmonë se më ngjajnë mua që të dy, mami vet mendon se i ngjajnë asaj. Po le të gjejmë një balancë. Goca më ngjan mua, çuni i ngjan mamit.

Alketa Vejsiu: Si është të rrisësh 4 fëmijë?

Samir Mane: Është padyshim shumë bukur, sidomos kur ka një diferencë kaq të madhe moshe siç kanë fëmijët e mi, sepse njëri ikën në shkollë, tjetri vjen nga shkolla, gjithmonë ka njerëz në shtëpi që mund të jetosh me kalamajtë dhe mund t’i gëzosh ata. Kështu që jam shumë i kënaqur.

Alketa Vejsiu: 4 fëmijë, të 4 të suksesshëm. Do vazhdoni të punoni për ndonjë fëmijë të 5, si e keni planin?

Samir Mane: Besoj që e kemi mbyllur, po me kënaqësi do ishte, po besoj që e kemi mbyllur.

Alketa Vejsiu: Do prisni nipërit dhe mbesat tani apo jo?

Samir Mane: Natyrisht./tvklan.al