Pjesëmarrës, Kina dhe Pakistani. SHBA refuzon

Zyrtarë të lartë talebanë zbarkuan në Moskë për të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar të organizuar nga Rusia. Në fokus të samitit janë zgjerimi i njohjeve ndërkombëtare për qeverinë talebane që mori kontrollin e vendit në muajin gusht, pas tërheqjes së plotë të ushtrisë amerikane.

Siguria e rajonit që vazhdon të rrezikohet nga destabiliteti, për shkak të grupeve terroriste si Shteti Islamik që vazhdojnë të jenë aktive, kryesisht në Afganistan. Krahas Rusisë, që përfaqësohet nga ministri i jashtëm Sergei Lavrov, pjesë e samitit janë zyrtarë nga 10 vende, përfshirë Kinën e Pakistanin, vendet e para që dhanë sinjale për njohjen e qeverisë së talebanëve.

Pjesëmarrjen në takim e refuzuan Shtetet e Bashkuara dhe për këtë Moska shprehu keqardhje. Megjithatë, kryediplomati rus Sergei Lavrov tha se samiti nuk është garanci se Moska i njeh liderët e rinj të Afganistanit. Sipas tij, Rusia kërkon të shohë nga talebanët dëshmi të një qeverisjeje të qëndrueshme dhe konform standardeve ndërkombëtare.

Analistët e shohin megjithatë, këtë samit si një përpjekje të Moskës për t’u rikthyer si faktor politik i rëndësishëm në rajon.

Tv Klan