Samiti 17+1 kryeqyteteve të Evropës Juglindore dhe Lindore i iniciuar nga Kina për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës, këtë vit do të mbahen në Tiranë. Nga Pekini ku u prit nga homologu i tij, Kryebashkiaku Veliaj theksoi se samiti do të mbahet në vjeshtë.

“Kishim 24 orë intensive në Pekin, ku tashmë Tirana, Shqipëria, është përzgjedhur si vendi mikpritës për të gjitha vendet në procesin e bashkëpunimit me Kinën, ose siç quhet ndryshe Kina +17, me shtimin e Greqisë. Më vjen mirë që në tetor, 17 kryetarët e kryeqyteteve të Evropës Juglindore dhe Lindore do të vijnë në Tiranë për të vijuar këtë bashkëpunim me Kinën”.

Teksa vizitoi disa nga fabrikat dhe koncensionarët e transportit publik elektrik, Veliaj premtoi se së shpejti në Tiranë do të mbërrijnë autobusët elektrikë.

“Jam po ashtu shumë entuziast për mënyrën se si Kina po udhëheq disa nga inovacionet më të reja, kur vjen puna tek transporti publik. Ashtu siç kemi bërë me taksitë, ku një pjesë e madhe e flotës tashmë ka kaluar në elektrike, ashtu do të fillojmë të bëjmë edhe me autobusët. Disa autobusë i kemi porositur, të tjerë jemi në proces porositje”.

Kryebashkiaku siguroi se bashkëpunimi me kompanitë kineze, por edhe me institucionet financiare kineze do të avancojnë në disa fusha, veçanërisht atë të transportit publik.

Tv Klan