Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, gjatë edicionit informativ të lajmeve ka dhënë detaje të reja nga samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet ditën e nesërme në Tiranë. Ajo tregoi axhendën që do të ndiqet të martën. Po ashtu, tha se pritet një vendim sa i takon tarifave ‘roaming’.

Anjola Hamzaj: A priten surpriza sa i përket pjesëmarrjes?

Elja Zotka: Minutë pas minuti po arrijnë delegacionet që kanë konfirmuar ardhjen në Tiranë ditën e sotme. Do të jetë presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, i cili do të vijë në Tiranë. Do të jetë komisioneri për zgjerimin, po ashtu, do të jenë disa kryeministra, do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, do të presidentja e Kosovës, sepse Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani, do jetë kryeministri i Hungarisë, kryeministri i Portugalisë, kryeministri i Bullgarisë. Pra janë një sërë kryeministrash që kanë konfirmuar ardhjen sot në Tiranë. Në orët e vona të mbrëmjes rreth orës 22:00 pritet  të vijë Presidentja e Komisionit Europian. Ndërkohë për liderët që do të mbërrijnë sot është parashikuar një darkë zyrtare nga kryeministri që do të mbahet në vilën qeveritare numër 30. Ndërkohë surprizë, nuk e di nëse mund të quhet e tillë, pasi pati një konfirmim, pastaj pati një anulim e tani ka  një konfirmim të ri nga Presidenti i Serbisë. Aleksandër Vuçiç do t’i bashkohet nesër liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor që do të ulen në samitin e Tiranës. Mesa duket presioni i bërë  nga Komisioni Europian, vizita e komisionarit për zgjerimin në Beograd ka dhënë rezultat dhe ai ka konfirmuar pjesëmarrjen. I vetmi lider që  do të mungojë, por me arsye do të jetë kryeministri Sanchez i Spanjës, pasi ka një festë zyrtare atje dhe ka kërkuar ndjesë për mospjesëmarrjen e tij, por sigurisht Spanja do të përfaqësohet nga përfaqësues të tjerë.

Anjola Hamzaj: Elja ndërkohë cila është axhenda e këtij Samiti dhe mesazhet që do përcillen në të?

Elja Zotka: Samiti do të fillojë në orën 9:30, pikërisht këtu në sheshin “Italia” do të fillojë pritja  e delegacioneve, do të jetë kryeministri që do të presë të gjithë liderët që do të marrin pjesë. Janë 44 delegacione, përveç krerëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor do të jenë edhe organizma të tjerë ndërkombëtare politike dhe financiare, ndër të tjerat edhe Banka Botërore, përfaqësuesi i Bankës Botërore. Më  pas do ulen dhe do shkëmbejnë pikëpamjet e tyre, do ketë një foto zyrtare dhe  në fund  do bëhet rezultati i gjithë përfundimit të Samitit do përmbyllet me një konferencë për shtyp. Do të jetë kryeministri Rama, do të jetë presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Europian, zonja Von Der Leyen.

Anjola Hamzaj: Ndërkohë mesazhet?

Elja Zotka: Mesazhi më i madh është fakti  që mblidhen në një vend të Ballkanit Perëndimor, fakti që mblidhen në Tiranë, po ashtu. Dhe është një mesazh i fortë mbështetje i Bashkimit Europian për rajonin tonë, i cili cilësohet si rajoni që mund të shpërthejë si një fuçi baruti nga momenti në moment për shkak të konflikteve të herë pas hershme. Ky është mesazhi kryesor. Do jenë katër shtylla ku do të mbështet samiti i nesërm, do të jetë padyshim i gjithë impakti që ka pasur lufta ruse në Ukrainë, në gjithë Europë. Po ashtu do ketë një mesazh për procesin se si po ecën procesi i integrimit në Ballkanin Perëndimor, po ashtu do diskutohen edhe çështjet e emigracionit.  

Anjola Hamzaj: Pritet një vendim për sa i takon tarifave ‘roaming’ mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të unionit, çfarë pritet në këtë aspekt?

Elja Zotka: Është një negociatë e gjatë po bëhet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, sekretarja e përgjithshme është zonja Majlinda Bregu. Ka pasur një takim vetëm pak orë  më parë dhe është dakordësuar që të gjitha kompanitë telefonike që kanë rënë dakord do të pranojnë që brenda zonës së Europës por edhe Ballkanit Perëndimor, të mund të komunikojnë pa tarifa ‘roaming’. Mesa mësoj është edhe një kompani shqiptare që ka rënë dakord për t’u bërë pjesë e kësaj marrëveshje. Do të jenë pikërisht drejtuesit e kompanive telefonike që do të ulen dhe do të nënshkruajnë një marrëveshje para se të nisë samiti./tvklan.al