Krerët e Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesit e Komisionit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare financiare u ulën në Tiranë pas takimit të Shkupit në Janar, për t’i dhënë një tjetër shtysë planit të ri të rritjes që Brukseli ka për zhvillimin e rajonit tonë.

Për aryse objektive, Kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi nuk mund të ishin fizikisht në Tiranë por i dhanë mesazhet e tyre virtualisht.

Janë 6 miliardë Euro që janë vendosur në dispozicion të rajonit ballkanik për periudhën 2024-2027, por që vendet të arrijnë t’i përvetësojnë këto para duhet të performojnë siç kërkon BE.

E para, të bëjnë reformat e duhura që kërkojnë përputhje të legjislacionit me atë të vendeve anëtare, dhe e dyta, të paraqesin projektet në formën e duhur.

Ndaj Kryeministri Rama ju bën thirrje mysafirëve që janë fqinjët e tij, të bëhen bashkë duke hequr doreënga politikat ballkanike dhe të shikojnë në interesin madhor për vendet e tyre.

“Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë. Çështjet dypalëshe mbeten por duhet të zgjidhen përmes dialogut dy palësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë bashkëpunim shumë palësh. Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do na bëjë të humbasim paqe. Kështu funksionin BE, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor. BE është më e gatshme se kurrë të na ndihmojë të bëhemi pjesë e saj, duhet të jemi ne tashmë më gati se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare”.

Të njëjtin mesazh përsëriti komisioneri Varhelyi për të 6 vendet, duke sqaron se ideja e planit ka lindur në Tiranë.

“Vetë ideja e të gjithë planit të rritjes ka qenë kryesisht i konceptuar pikërisht këtu, në Tiranë, në diskutimet e mëparshme që ne kemi pasur me Kryeministrin, por edhe me udhëheqësit e tjerë të rajonit. Pra, nuk është vetëm ide kjo e Komisionit Europian apo e Bashkimit Europian apo e Këshillit Europian që ka vendosur që kjo gjë të krijohet e të realizohet, por ka qenë dhe ideja e gjithë rajonit. Europa është shumë burokratike, gjithmonë bëhet fjalë për plane, instrumente, masa, por mendoj që këtë herë ne kemi mundësinë që të tregojmë dhe se cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike të një vendi kur bëhet shtet anëtar dhe cilat janë dhe të mirat që sjell në shoqëri anëtarësimi në BE sepse këto ne tashmë kemi mundësi t’i ndajmë me rajonin përpara se ju të bëheni pjesë e Bashkimit Europian”.

Zëri më i fortë kundër politikave të BE që linin në plan të dytë mbështetjen për vendet kandidate, Edi Rama, tani që plani i rritjes është realitet, nuk i pëlqen të flasë konkretisht për paratë si të tilla që do të përfitojë Shqipëria, por flet strategjikisht për rëndësinë e kësaj mundësie për rajonin.

“E kuptoj pyetjen për paratë, por mendoj se sa e madhe është kjo mundësi që kemi këtu Nëse përmbushim kriteteret për zonën e përbashkët të pagesave do ulim tarifat për qytetarët që sjellin para në Shqipëri, mund të kursejmë afro gjysmë miliard Euro nga xhepat e njerëzve. Nëse ulim vetëm me 3 orë kohën e pritjes së kamionëve në kufi, kursejmë 26 milionë Euro”.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, u la një muaj afat vendeve të rajonit për mbylljen e reformave, me qëllim që nismat të jenë tërësisht funksionale.

“Cilësia e ligjeve që duhet të miratoni duhet të jetë e lartë. Na keni krah jush”.

Pengesa më e madhe sipas Ramës dhe Varhelyt për suksesin e këtij plani janë vendet e rajonit.

“Pengesa e vetme më e madhe së cilës mund t’i trembemi është mendësia midis vendeve të rajonit”.

Edhe komisioneri Varhelyi kërkon të hiqet dorë nga politika e pengimit dhe kushtëzimit, por këtë thirrje më së shumti e ka me vende anëtare si Greqia që për çështje të brendshme ka vendosur veton për hapjen e kapitujve për Shqipërinë. Pengesë që Varhelyi është optimist se do kapërcehet përpara zgjedhjeve europiane.

“Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon tjetrin të ecë përpara. Gjithsesi, ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj shumë që në muajt në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër ndërqeveritare në mënyrë që të kalojmë te negociatat e vërteta”.

Kryeministri Rama u pyet dhe për propozimin që Presidenti Zelenski i bëri qeverisë shqiptare por dhe atyre të rajonit për një projekt të përbashkët për prodhimin e municioneve ushtarake.

Rama sqaron se Shqipëria nuk ka aktualisht industri aktive të prodhimit dhe rivendosja në punë e tre ish-uzinave të armëve në vend kërkon investime, në parim ai është dakord me propozimin e Zelenskit.

“Duam ta kemi, së pari, për veten tonë dhe kemi punuar dhe po punojmë që të gjejmë marrëveshjen e duhur, të gjejmë partnerët e duhur të gjejmë partnerët e duhur, të ringjallim infrastrukturën tonë të vjetër dhe për të bërë më shumë investime për ne. Presidenti Zelenskyy na foli për mundësinë e bashkëpunimit që do të thotë investimi, prodhimi dhe bashkëpunimi dhe sigurisht të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria, kështu që ky është një proces”.

Rama sqaroi se investimet në mbrojtje bëhen në bashkëpunimi me aleatët si vend i NATO-s.

Tv Klan