Marrëdhëniet BE-Rusi janë në një nivel shumë të ulët. Në samit do të vendoset nëse BE-ja do të kërkojë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, që do të pasonte takimin e presidentit amerikan, Joe Biden me Putinin të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës më 16 Qershor. Përfaqësuesit e Francës dhe Gjermanisë paraqitën një propozim për të mbajtur një samit me Putinin si një përpjekje për të përmirësuar lidhjet për të cilat blloku evropian thotë se kanë hyrë në një “spirale negative”.

Disa diplomatë të BE-së kanë thënë se së pari duhet të ketë përmirësim të raporteve dhe pastaj të vendoset për mbajtjen e samitit. Shumë vende të BE-së, në veçanti ato të Evropës Lindore janë shumë të kujdesshme kur bëhet fjalë për bisedimet me Kremlinin. BE-ja dhe Rusia kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, përfshirë Ukrainën dhe Bjellorusinë si dhe të drejtat e njeriut.

BE-ja gjithashtu akuzon Moskën për ndërhyrje në zgjedhje, përhapjen e dezinformimit dhe kërcënimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Lindore. BE-ja pritet gjithashtu që gjatë samitit të publikojë detaje të sanksioneve ekonomike kundër Bjellorusisë pasi ky vend më 23 Maj devijoi një fluturim mes dy vendeve të BE-së dhe e detyroni aeroplanin të ulet në Minsk për të arrestuar një gazetar dhe aktivist të opozitës dhe të dashurën e tij.

Javën e kaluar, shefi i punëve të Jashtme të BE Josep Borrell paraqiti një strategji të re të mundshme duke paralajmëruar se marrëdhëniet mund të përkeqësohen më tej. Pas një kohe të vështirë, marrëdhëniet me Ankaranë janë stabilizuar aq sa të anojnë perspektivën e financimeve të reja të pritjes së refugjatëve dhe modernizimin e bashkimit doganor Turqi-BE në Mars.

Në Këshillin Evropian krerët e 27 shteteve anëtare do të shkëmbejnë pikëpamje edhe se si të rifillojnë në mënyrë të sigurt lëvizjen e lire, përshpejtimin e vaksinimeve kundër Covid-19 ndërsa po përhapen variante të reja të koronavirusit. Migrimi, me një fokus në bashkëpunimin me vendet e treta, është gjithashtu në rendin e ditës.

Klan News