Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka shpjeguar hartën e rrugëve të bllokuara në Tiranë në datën 6 Dhjetor kur do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Në një konferencë shtypi, Rrumbullaku tregoi se bulevardi “Bajram Curri” që lidhet me kryqëzimin e rrugës Ibrahim Rrugova, si dhe me pjesën tjetër të rrugës së Elbasanit do të jetë tërësisht “vijë e kuqe” dhe e bllokuar.

“Perimetri i sigurisë është i përcaktuar fare qartë; bulevardi “Bajram Curri” që lidhet me kryqëzimin e rrugës Ibrahim Rrugova, si dhe me pjesën tjetër të rrugës së Elbasanit, pra ura e Lanës, do të jetë zonë totalisht nën mbikëqyrje dhe nën kontrollin policor. Kjo do të jetë vija kufizuese e perimetrit të sigurisë për të cilën Policia e Shtetit në raport edhe me konsultim të plotë me partnerët, përgjegjësit e sigurisë së autoriteteve të delegacioneve të larta që do vizitojnë vendin tonë, është zonë sigurie dhe vijë e kuqe që nuk mund të shkelet dhe është e aksesueshmë vetëm nga ata për të cilën ne kemi deklaruar dhe më parë. Aksi rrugor kryqëzimi i rrugës Bulevardi Bajram Curri me rrugën Ibrahim Rrugova do të jetë aks rrugor i kalueshëm nga automjetet në të dyja krahët me ndalim përkimi për asnjë nga përdoruesit e rrugës, ndërsa të gjitha kryqëzimet e rrugëve që lidhin aksin rrugor Ibrahim Rrugova me Bulevardin Dëshmorët e Kombit konsiderohen rrugë të bllokuara dhe perimetër sigurie për të cilën janë caktuar një sërë masash të tjera si dhe punonjës policie që do të orientojnë qytetarët për të lëvizur në aksin e trotuarit të rrugës Ibrahim Rrugova sipas interesit që do të kenë”.

Edhe kryqëzimi i rrugës së Elbasanit deri tek rrethrrotullimi i Varrezave të Dëshmorëve në Sauk do të jetë i mbyllur duke filluar nga ora 07:00 e 6 Dhjetorit.

“Perimetër tjetër i sigurisë ka të bëjë me kryqëzimin e rrugës së Elbasanit deri tek rrethrrotullimi i Varrezave të Dëshmorëve në Sauk. I gjithë ky aks duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit të datës 6 do të konsiderohet i bllokuar. Aksi përgjatë procesit të zhvillimit të samitit në raport me trafikun e mjeteve me ngarkesën që do të kemi gjatë gjithë territorit të qarkut apo të rrethit apo bashkisë së Tiranës, do të vendosim mbi bazën e saktë për të thënë që mund të kemi dhe lëvizje të automjeteve për nevoja të ndryshme, qoftë dhe ato emergjente”.

Por si do të bëhet lëvizja e banorëve rezidentë që janë brenda perimetrit të sigurisë dhe e punonjësve të administratës më 6 Dhjetor? Rrumbullaku u shpreh se këta persona do të lejohet të lëvizin në këmbë pa automjete, por duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe dokumentin e punës.

“Për të gjithë rezidentët që janë brenda perimetrit të sigurisë, të cilët do të zhvillojnë veprimtarinë normale jetësore për çdo lloj nevoje dhe shërbimi që do kenë, i vetmi kufizim për gjithë rezidentët, të institucioneve shtetërore do të jetë kufizimi i lëvizjes së tyre me mjete, qofshin shtetërore qofshin mjete në përdorim vetjak. Rrugët dhe akset e mundshme të hyrjes së tyre në institucione, qofshin këto arsimore, shtetërore, gjithësecili prej tyre është i detyruar të paraqesë dokument identifikimi dhe dokumentin e vendit të punës.

Nga ana tjetër kemi të përcaktuar individë të caktuar në nivel menaxherial të Policisë së Shtetit për të patur një komunikim të rregullt sa më etik me cilindo nivel komunikimi që ka të bëjë me të gjithë qytetarët apo me të gjithë komunitetin. Perimetri i sigurisë përveç për të cilën 3 akset që unë ju shpjegova, ka të bëjë vetëm me perimetrin e sigurisë në anën jugore të zonës perimetrave që konsiderohet zonë e kuqe me Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe në të gjithë perimetrin përgjatë Parkut Kombëtar. Gjithashtu do të thoshim që kemi përcaktuar itinerarin dhe lëvizjen shumë të lirë të të gjithë studentëve për të marrë pjesë në fakultetet e tyre në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Kemi dy perimetra të sigurisë për të qartësuar, perimetrin e largët dhe perimetrin brendshëm. Detyrimet të agjencive ligjzbatuese në kuadrin e një plani bashkëpunues ndërinstitucional, një pjesë të Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese ne vend”, tha ndër të tjera Drejtori i Policisë së Shtetit. /tvklan.al