Në fokus krijimi i vendeve të punës, ulja e varfërisë

Drejtuesit e Bashkimit Europian janë mbledhur në Porto të Portugalisë për një samit dyditor që synon të nxisë axhendën e një Europesociale.

Samiti shpreson të miratojë masa për riparimin e dëmeve që ka shkaktuar koronavirusi në bllok, me fokus të veçantë krijimin e vendeve të punës, uljen e varfërisë dhe pabarazisë, tranzicionin e gjelbër dhe dixhital.

Ky është takimi i parë ballë për ballë i udhëheqësve të bllokut 27-vendesh këtë vit, një sinjal se kërcënimi nga COVID-19 po zbehet në sfondin e fushatës së shpejtë të vaksinimit.

BE po kërkon miratimin në Porto të tre objektivave kryesore: një normë punësimi në BE prej të paktën 78%, të paktën 60% e të rriturve të ndjekin çdo vit kurse trajnimi profesional dhe uljen e numrit të atyre që rrezikohen nga varfëria me rreth 15 milionë veta, përfshirë 5 milionë fëmijë.

Nxitja e politikave të kujdesit social, e udhëhequr kryesisht nga qeveritë e qendrës së majtë të BE-së, ka shkaktuar tensione brenda bllokut. Muajin e kaluar, 11 qeveri i mirëpritën objektivat e samitit të Portos por paralajmëruan autoritetet e Brukselit kundër ndërhyrjes në politikat kombëtare.

Gjithashtu udhëheqësit europianë do të diskutojnë propozimin për të pezulluar përkohësisht patentat e vaksinave kundër COVID-19 për të ndihmuar shpejtimin e përfundimit të pandemisë.

Klan News