Në prag të mbajtje së samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama teksa theksoi rëndësinë e mbajtjes së tij në Shqipëri, si një zgjedhje strategjike nga ndërkombëtarët, ripërsëriti qëndrimin se masat e sigurisë janë të panegociueshme.

“Një vlerësim strategjik nga ana e organizatorëve për të vendosur në Tiranë këtë stacion të një rrugëtimi. Nuk është një stacion i zgjedhur rastësisht, por në mënyrë të mirëmenduar. Perimetri i sigurisë së samiteve ndërkombëtare nuk negociohet me askënd, askund”.

Sipas Ramës, protesta e opozitës në të njëjtën ditë me samitin është absurde dhe ajo po organizohet nga ata që kanë marrë financime ruse.

“Ajo është një protestë absurde që nuk ka asnjë lidhje me asgjë tjetër përveçse me vazhdimin e një misioni që tanimë, për ata që duan të shikojnë është një mision i qartë, i zbuluar në sytë e të gjithëve. Është e njëjta forcë, e cila është paguar me para ruse, për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi e ky është një fakt”, tha Rama.

Rama mohoi që nga BE të jetë shprehur shqetësim për sigurinë, ndërsa për ata që do të tentojë ta cënojnë atë Rama paralajmëroi se do të ketë pasoja ligjore.

“Nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi. Unë shpresoj që individët e tjerë nuk do të shkojnë me këmbët e tyre në atë qorr sokak ku ka pasoja ligjore shumë të qarta”.

Kreu i qeverisë dha një përgjigje për pjesëmarrjen e Serbisë në samit, për të cilën tha se mungesa e saj do të ishte katastrofike.

“Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit. Sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht”.

Teksa zbuloi se kryeministri i Spanjës do të jetë lideri i vetëm, i cili nuk do të marrë pjesë në samit, Rama dha detaje edhe për telefonatën me kryeministrin e Britanisë, Rishi Sunak.

“Më ka shprehur keqardhjen për shkak të deklaratave të pamenduara dhe të lëshuara qesim në raport me shqiptarët”.

Rama u ndal dhe tek hetimet e autoriteteve spanjolle për skemat e mashtrimit me call center.

“Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti. Qeveria jonë nuk i bëhet mburojë askujt, cilido qoftë. Sa i përket sjelljes në valle të emrit të tim vëllai, kjo është pjesë e valles së madhe të shpatave që zhvillohet në mexhilisin tonë politik. Në rastin konkret jemi para një sjellje në valle për vallen e shpatave të politikës”.

Për këtë çështje opozita akuzon si të përfshirë Kryeministrin Rama dhe familjarë të tij në vjedhjet prej 2.2 mld Euro që sipas saj i është bërë qytetarëve europianë.

Tv Klan

Më poshtë lajmet kryesore nga bashkëbisedimi i Kryeministrit me qytetarët dhe gazetarët

Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim të mbajtur me gazetarët këtë të diel  ka  folur ndër të  tjerat edhe për masat e sigurisë të cilat janë parashikuar të merren për Samitin e BE i cili pritet të zhvillohet në datën 6 dhjetor. Ai ka thënë se këto masa ekstreme janë të domosdoshme dhe janë të panegociueshme me askënd dhe për askënd.

“Samiti ka kohë që  organizohet, është një nga ato organizime që  përfshin shumë institucione dhe  natyrisht përfshin një numër të konsiderueshëm personash dhe zyrash që janë në këtë rast të Bashkimit Europian ndër të cilat hynë edhe forcat e organizimit të gjithë sigurisë së Samitit duke pasur parasysh se mblidhen në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë jo vetëm 27 lider të Bashkimit Europian me delegacionet e tyre por edhe vetë delegacionet e Brukselit, delegacioni i presidentit të Këshillit Europian, delegacioni  i presidentes së Komisionit Europian,  pa harruar edhe pesë lider të tjerë që vijnë nga rajoni me këshillin e tyre. kështu që në këto kushte është afërmendsh që duhen marrë masa ekstreme sigurie që janë të panegociueshmë me askënd”, u shpreh kryeministri.

I pyetur nga gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri nëse ka pasur ndonjë tentativë për të negociuar nga Partia Socialiste më Partinë Demokratike, në mënyrë që protesta e parashikuar në 6 dhjetor të mos zhvillohet në atë ditë, Kryeministri u përgjigj:

“Partia Demokratike sot  ka më shumë se një kuptim. Janë pjesë e një force që mban Partia Demokratike por është një forcë e shpërbërë. Nuk shikoj asnjë arsye për të negociuar me askënd. Siç e thashë perimetri i sigurisë të samiteve kombëtare nuk negociohet me askënd. Ndodh që forca, organizata, grupime të caktuara që janë kundër këtyre samiteve të  bëjnë protesta. Nuk ndodh, nuk ka se si  të ndodh që të bëhen protesta pro samiteve. Protesta kundër, po, ndodh, por ato zhvillohen jashtë perimetrit të sigurisë, në të gjitha rastet në të gjitha vendet, kudoqoftë  dhe kurdoqoftë, kështu që nuk e shikoj si çështje mes Partisë Socialiste, jo e jo, por qeverisë dhe një pjesë e  të ashtuquajturës opozitë. E shikoj si një çështje sigurie që i takon organeve përkatëse në bashkëpunim me strukturat përkatëse të angazhuara nga organizatorët. Këtë samit nuk  e organizon Shqipëria, Shqipëria është vendi mikpritës që ka për detyrë të marrë të gjitha masat organizatori është Bashkimi Europian, që ky samit të  ketë mbarëvajtje sikundër do e ketë. Çfarë ka këtu për të negociuar dhe me kë. Për të mos ju futur pastaj që kjo është një protestë absurde”, tha kryeministri Rama.

Më tej kryeministri shtoi: “Udhëhiqet nga një individ i shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe të gjitha të zezat e mundshme dhe të imagjinueshme që mund të përmblidhen në një copë letër. Përtej këtij vlerësimi, që është i njohur dhe i ditur. Këtu nuk jemi në kushtet e pasojave të vlerësimit, këtu jemi në kushtet që siguria e Samitit nuk negociohet me askënd dhe jam i bindur se askush nuk do e provojë që ta thyejë perimetrin e sigurisë. Jam i sigurt për këtë se është pa sens është pa kuptim. Është një çmenduri e një niveli që edhe çmendurakëve për të cilët flasim nuk u shkon. Pa hyr pastaj në atë pjesën më të tmerrshme të gjithë kësaj që është njollosja e qëllimshme e një dite, e një ngjarje, për të tërhequr vëmendjen për halle personale dhe nga ana tjetër, për të mos e lënë Shqipërinë që të lulëzoj atë ditë në të gjitha mediat ndërkombëtare, por patjetër të ketë nga pas edhe një ferr, që po ishte ky samiti, por ishin edhe disa të tjerë që protestonin për narkoshtetin. Domethënë mblidhet e gjithë BE-ja për një narkoshtet. Një çmenduri”!

Kreu i qeverisë shtoi ndër të tjera, se nga ana e BE-së nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi në lidhje me faktin se atë ditë do të zhvillohet protestë nga ana e PD-së.

“Nuk është shprehur asnjë lloj shqetësimi. Nuk ka arsye të  ketë asnjë lloj shqetësimi”, u shpreh Rama.

Samiti i BE në Tiranë, Rama: Vlerësim strategjik për Shqipërinë, nuk është stacion i zgjedhur rastësisht

Kryeministri Edi Rama tha se samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet më 6 Dhjetor në Tiranë është vlerësim strategjik për Shqipërinë.

“Është vlerësim strategjik për Shqipërinë, nuk është stacion i zgjedhur rastësisht.  Është një stacion i zgjedhur mënyrë shumë të mirëmenduar. Ndërkohë ne  po përgatitemi për këtë samit, për   të luajtur përsëri rolin tonë, si Shqipëri, por edhe si rajon. Siç jemi përpjekur dhe besoj se e kemi luajtur prej kohësh tani, kur në tryezën e të mëdhenj të Europës jemi ulur gjithnjë si të barabartë mes të barabartëve dhe pavarësisht se jemi shumë të vetëdijshëm për rrugën që ende na duhet të bëjmë për t’u bashkuar në atë tryezë si anëtarë të barabartë mes të barabartësh, nuk jemi penguar  asnjëherë në vetëdijen tonë, por as në këtë përpjekje tonën për të qenë të drejtpërdrejtë dhe për ti thënë gjërat ashtu siç janë, pa asnjë kompleks dhe pa asnjë frikë ”, tha kryeministri.

Ai u shpreh se qeveria e tij është e vetëdijshme për rrugën që duhet për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë tha se qeveria po përgatitet për samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Rama: Serbia nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit, e kundërta do të ishte katastrofë

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët këtë të diel se Serbia nuk ka rrugë tjetër përveçse të vijë në samit. Ai u shpreh se në të kundërt do të ishte një katastrofë për Serbinë.

“Nuk emocionohem nga deklaratat që bëjnë politikanët brenda dhe jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse të vijë në samit. Jua them këtë me bindje. Sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë natyrisht”, u shpreh Rama.

Rama: Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti të paligjshëm

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria që ai drejton nuk i bëhet mburojë asnjë aktiviteti të paligjshëm dhe askujt, cilido qoftë ai. Komentet i dha pasi u pyet në lidhje me një hetim të autoriteteve spanjolle për skemat e mashtrimit me call center.

“Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti. Qeveria jonë nuk i bëhet mburojë askujt, cilido qoftë. Për të ardhur tek rasti konkret, këto spekulime të natyrës që një ish-zyrtar etj etj janë pa asnjë vlerë, sepse faktikisht, e para, ky “ish-zyrtar” është në kërkim nga drejtësia dhe ky është një proces për kujtesë që nuk është bërë nga organet ligjzbatuese në mënyrë krejt të pavarur, por në bashkëpunim me organet tona ligjzbatuese… Pra organet tona ligjzbatuese, dhe këtu kam parasysh Policinë gjithashtu, që është në një farë mënyre nën ombrellën e ekzekutivit, nuk kanë pasur dhe nuk kanë për askënd asnjë lloj pengese dhe asnjë lloj ndikimi për të mos vepruar. Sa i përket sjelljes në valle të emrit të tim vëllai, kjo është pjesë e valles së madhe të shpatave që zhvillohet në mexhilisin tonë politike. Në rastin konkret jemi para një sjellje në valle për vallen e shpatave të politikës. Nëse personazhi do kishte pasur mburojë shtetërore, nuk do ishte në kërkim”, u shpreh Rama.

Rama tregon cili është kryeministri që do të mungojë në samit: Më ka dërguar një letër miqësore

Kryeministri Edi Rama njoftoi gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët se në samitin e 6 Dhjetorit nuk do të vijë vetëm kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez. Ai u shpreh se kreu i qeverisë spanjolle i ka dërguar një letër miqësore ku sqaron arsyen se pse do të mungojë.

Pedro Sanchez nuk do vijë, më ka dërguar një letër miqësore me sqarimin se atë ditë Spanja ka ditën e Kushtetutës dhe është një ditë me rëndësi shumë të madhe të Spanjës. Për këto arsye nuk do të jetë i pranishëm, por letra e tij është jashtëzakonisht mbështetëse”, tha Rama.

Biseda me Sunak, Rama: Më shprehu keqardhjen për çfarë ka ndodhur

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë bashkëbisedimit me qytetarët edhe për bisedën telefonike që ka zhvilluar me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak. Ai u shpreh se Sunak i ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur pas deklaratave të ministres britanike, Suella Braverman. Rama zbuloi se telefonata ka qenë e gjatë dhe e kërkuar nga vetë Sunak.

Më ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur, për shkak të deklaratave të pamenduara dhe të lëshuara qesim siç i themi ne këtej nga fshatrat e Tiranës në raport me shqiptarët dhe kemi diskutuar për këtë çështje, por jo vetëm për këtë çështje. Nuk është folur për asgjë të re, thjesht për të bashkuar forcat më shumë, për tu organizuar më mirë”, u shpreh Rama.

Më tej kreu i qeverisë shtoi se, “Kam përsëritur të njëjtën gjë, lidhur me sesi sipas nesh bëhet e mundur një luftë efikase, jo propagandistike kundër rrjeteve të trafikut që shfrytëzojnë nevojën e njerëzve për t’u larguar dhe nga ana tjetër edhe lidhjet, e dimë shumë mirë që emigrimi në Britaninë e Madhe është një emigrim i lidhur edhe me bazat e krijuara, pjesëtarë të familjeve që janë atje më parë, për të zhvilluar këtë veprimtari”.

Rama: Nuk jemi në drejtim të vendosjes së fashës 800 KW/h për muajin Dhjetor

Kryeministri Edi Rama u shpreh se sipas informacioneve që ka deri më tani qeveria nuk do ta vendosë fashën 800 KW/h edhe për muajin Dhjetor.

Ai u shpreh se informacionin e plotë dhe të detajuar do ta japë ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës 2-3 ditët e ardhshme.

“Besoj që edhe këtë muaj në ditën e caktuar, çështje 2-3 ditësh përsëri ministrja e Energjisë do të informojë publikun lidhur me qëndrimin tonë. Besoj se në kushtet kur kemi pasur reshje, asnjëherë të mjaftueshme për hir të së vërtetës, por shumë të mirëseardhura, nuk jemi, të paktën nga informacionet që kam deri tani, në drejtim të vendosjes së fashës për muajin Dhjetor. Megjithatë informacionin e plotë të detajuar dhe zyrtar për publikun do ta japë ministrja”, u shpreh Rama.

Ndeshja Zvicër-Serbi, Rama sqaron heshtjen e tij: Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi qesharak, e panevojshme

I pyetur gjatë bashkëbisedimit me gazetarët dhe qytetarët mbi zgjedhjen e tij për të mos reaguar ndaj situatës së ndodhur në ndeshjen e Botërorit Zvicër-Serbi me lojtarët Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, kryeministri Rama tha se “nuk i fryhet zjarrit të nacionalizmit qesharak”. Ai theksoi se dy futbollistët, pavarësisht kombësisë, janë qytetarë zviceranë. Sa i përket sanksioneve nga FIFA, Rama u shpreh se rregullat e saj janë të pranuara nga çdo futbollist dhe janë politika të vetë institucionit.

“Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja. Unë nuk jam kryeministër i Zvicrës, jam kryeministri i Shqipërisë dhe nëse do të ndaja nga skuadra e Zvicrës dy qytetarë zviceranë që kanë kombësi shqiptare, që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe padiskutim simpati të madhe të gjithë, për një ndeshje të veçantë, çfarë do bëja? Konkretisht, çfarë do bëja? Do t’i përdorja ato dy figura për politikë dhe në një mënyrë aspak dinjitoze për hir të së vërtetës sepse është ekipi kombëtar i një shteti tjetër dhe do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi, më falni për shprehjen, qesharak, por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq edhe i rrezikshëm. S’është i nevojshëm, nuk e shoh fare të nevojshme. Kush e bën këtë nuk bën gjënë e duhur.

Kështu që faleminderit për pyetjen meqë m’u dha mundësia sepse e kam dëgjuar si koment dhe është për të ardhur keq si mund të shkëputem nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të denjë dhe të nderuar të atij shteti dhe për atë arsye luajnë me atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre të përdoren si mish për top për një lojë luftash ballkanike, është një… për sa i përket pastaj çështjes së sanksioneve, ato janë pastaj çështje që lidhen me politikën e FIFA-s e cila, ju e dini shumë mirë, ne e dimë shumë mirë, është një politikë tejet strikte për moscenimin e kuadrit në aspektin politik në asnjë lloj nuance e cila ka ose mund t’i jepen natyrë politike. Këtu mund të kemi ne mendime të ndryshme nga FIFA, por FIFA është qeveria e futbollit, nuk është as qeveria e Shqipërisë, as mediat shqiptare, as… kështu që janë rregullat të cilat kush merret me futboll i ka pranuar dhe duhet t’i zbatojë, kaq”, tha Rama.

Rama: PS-ja, makineri e pathyeshme. Të tjerët janë shumë larg nesh

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të diel se Partia Socialiste i ka nisur përgatitjet për zgjedhjet që të nesërmen e zgjedhjeve të kaluara.

Ai u shpreh se forca politike që ai drejton është më e organizuara. Të tjerët tha se janë shumë larg Partisë Socialiste.

“Unë nuk e di cila parti po përgatitet fort, por di që është herët për të marrë vesh se kush është kush në anën tjetër ose në anët e tjera. Dhe nga ana tjetër di që përgatitjet tona për zgjedhjet e ardhshme kanë filluar të nesërmen e zgjedhjeve të shkuara si gjithmonë. Falë edhe sistemit gjithmonë e më të hekurt të patronazhistëve ne jemi të pathyeshëm. Kështu që këto janë zgjedhje me një rëndësi të veçantë. I kemi dhënë shumë rëndësi. E kemi bërë këtë punë me kohë. Ju jeni dëshmitarë sepse keni qenë tek dera e selisë së PS-së kohë më parë, kur ne e kemi filluar këtë proces. Dhe ne jemi një forcë padiskutim më e organizuara në politikën shqiptare. Përsosim në çdo zgjedhje organizimin tonë. Dhe jemi një makineri që nuk thyhet. Të tjerët, i duartrokasim në të gjitha përpjekjet që bëjnë për t’u përmirësuar, por janë shumë larg nesh. Ne e paguajmë këtë me akuzat që vijojnë, jo na i vodhët, jo na i grabitët, jo dërr, dërr dërr. Në fakt jo. Ne zgjedhjet veçse i fitojmë. Marrim atë që na takon nga zgjedhësit”, u shpreh Rama./tvklan.al