Tensionet u ulën, por kriza në koalicionin qeverisës gjerman mbetet edhe pas takimit mbrëmjen e të martës mes tre krerëve në Berlin. Aleati natyror i Merkelit, socialkristiani Horst Zehofer nuk tërhiqet nga plani për mbylljen e kufijve për flukset e emigrantëve ilegalë dhe dëbimin e azilkërkuesve që strehohen në Gjermani, por regjistrimin e kanë bërë në vende të tjera europiane.

Ai i la kohë shefes së tij në qeveri Angela Merkel, që të gjente një zgjidhje përfundimtare europiane në samitin e të enjtes dhe të premtes në Bruksel. Merkel kërkon që çështja e qindra mijëra emigrantëve që u dyndën vitet e fundit të zgjidhet duke bashkërenduar veprimet me vendet e tjera të unionit.

Por aleati i saj, Ministri i Brendshëm Zehofer, i cili ka një qëndrim më radikal ndaj emigrantëve paralajmëron se do të veprojë sipas shembullit të qeverive hungareze e austriake për mbylljen e kufijve, madje edhe pa miratimin e Kancelares.

Merkel është nën presion edhe nga partnerja socialdemokrate e koalicionit qeverisës Andrea Nales. Fati i qeverisë Merkel 4, formuar me mundime 3 muaj më parë do të vendoset pas samitit të 28 dhe 29 Qershorit. Sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për kristiandemokratët ka rënë me 5% krahasuar me zgjedhjet e Shtatorit 2017.

Tv Klan