Ashtu siç pritej Samiti i G20, mund të mos i mbyllë ndasitë mes vendeve në çështjet kyçe si tregtia dhe klima. Pavarësisht thirrjes së organizatorit të këtij viti, Presidentit argjentinas Mauricio Macri për dialog, palët mbeten ende larg.

Tarifat tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj Kinës do të jenë pika kryesore për t’u diskutuar nga presidenti Donald Trump dhe homologu i tij Shi Xhinping. Nëse takimi i planifikuar për në mbrëmje mes tyre do të dështonte, do të vinte në rrezik edhe firmosjen e deklaratës së përbashkët mes 20 superfuqive industriale të globit.

Rusia nga ana tjetër po përballet me presionin e çështjes së Ukrainës. Ndonëse takimi me Presidentin Trump u anulua, Vladimir Putin, u shfaq i qeshur të premten me princin saudit Mohamed Bin Salman, ndërsa këtë të shtunë u takua me Presidentin francez Macron dhe kancelaren gjermane Merkel. Kjo e fundit mbërriti me vonesë në ditën e parë të Samitit, një ngjarje jo e zakontë për një gjermane por e detyruar nga defekti në avionin e saj.

Ndërkohë në rrugët e Buenos Aires, disa qindra qytetarë protestuan kundër Samitit.

Tv Klan