“Vlerësoi Shqipërinë, Kosova të bëhet pjesë e partneritetit për paqe”

Kryeministri Edi Rama pati një bisedë të gjatë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të zhvilluar ndërmjet sesioneve të Samitit të NATO-s që po mban punimet në Madrid të Spanjës.

Vetë kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama bëri të ditur se temë e diskutimit ishte roli që ka luajtur Shqipëria në Këshillin e Sigurimit por edhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”.

Rama ka zbuluar edhe pjesë të diskutimit të tij të mbajtur në takimin me dyer të mbyllura të NATO-s, duke theksuar se kërkoi që Kosova të bëhet pjesë menjëherë e mekanizmit të partneritetit për paqe, ndërsa u sugjeroi vendeve që ende nuk e kanë njohur atë të rivlerësojnë qëndrimin.

“Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”.

Më tej Rama thotë se vlerësoi marrëveshjen që i hap rrugë anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Vlerësova marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh”.

Në mbrëmje, ai së bashku edhe me krerët e tjerë të vendeve të NATO-s mori pjesë edhe në darkën e punës të shtruar nga Kryeministri Pedro Sánchez, në muzeun e famshëm Prado.

Samiti vijon edhe këtë të enjte ku Kryeministri shqiptar do të takohet me Kryeministren e Suedisë, Magdalena Anderson, vend për të cilin Shqipëria ka dhënë aprovimin për anëtarësim në aleancë.

Në axhendë është edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje me një kompani spanjolle energjeteke dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.

Tv Klan