11 liderë të Europës Juglindore, mes të cilëve dhe Presidenti Volodymyr Zelensky ranë dakord përmes një deklarate të përbashkët të miratuar në samitin e Tiranës se agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë e Europës dhe se vetëm duke u bashkuar do të mund të vendoset paqja, stabiliteti në kontinentin europian.
Ata u mblodhën në Tiranë për t’i konfirmuar Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se mbështetja e kësaj pjese të kontinentit me vendin dhe popullin e tij duhet të intensifikohet në përpjekje të tjera të përbashkëta për rimëkëmbjen e Ukrainës që prej dy vitesh vuan pasojat e agresionit rus.
Kryeministri Rama ashtu si në Kiev dhe në Neë York ku është takuar më parë me presidentin Zelensky-n foli për mbështetjen e pakufizuar për Ukraninën dhe luftën e saj të drejtë.
“Sa i takon Shqipërisë e kemi bërë mjaft të qartë dhe jam krenar të them se nuk është vetëm qeveria, nuk është vetëm parlamenti, nuk janë vetëm institucionet, por para së gjithash është i gjithë kombi, i gjithë populli i vendit tonë që qëndron krah Ukrainës dhe mbështet Ukrainën në mënyrë të palëkundur”, tha Rama.
Veç falenderimeve në vetë të parë për Ramën dhe Shqipërinë, Zelensky i kërkoi liderëve të ulur në samitin e Tiranës të bëhen bashkë jo vetëm politikisht për t’u përballur me atë që e quan Hitleri i ri, Vladimir Putin.
“Të gjithë ne duhet të përballemi me një vrasës. Hitleri 2, nëse po flasim për Netflix. Është një rrezik i madh që i kanoset jetës sonë, të gjithë duhet të përgatitemi që të jemi të fortë, për hapat e tjerë që do marrë Putin. Nëse nuk e bëjmë këtë ose nëse duam që ai mos t’ia dalë mbanë ne duhet të përgatitemi për luftë, me armatime. Ne dua të jemi të fortë, ne Putin duhet ta mundim”, tha Zelensky.
Ashtu si Rama dhe Zelensky dhe në konferencën për shtyp flet për rrezikun qe i vjen rajonit tonë nga Rusia.
“Ajo që po ndodh sot në Ukrainë është një tjetër mësim që na thotë se nuk duhet të biem pre e relativizmit të këtij konflikti, të dy palëve. Ka një agresor dhe ka një viktimë. Gjithçka tjetër është çorientuese. Na duhet të forcojmë demokracinë tonë. Po ka një rrezik të qartë e real për Ballkanin perëndimor për shkak të agresionit rus. Të gjithë duhet ta shohin se ajo që po ndodh atje mund të përsëritet në mënyra të ndryshme duke vënë në pikëpyetje themelet e rendit botëror të mbështetura në rregulla”, tha Rama.
“Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin e shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar rajonin. Sot nuk duhet të bëjmë pauza por të forcojmë Ukrainën. Rusia do të destabilizojë më tej nëse do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe të mbijetojë politikisht ndaj këtyre agresioneve e do të përpiqet të ushtrojë ndikim në ato vende të vogla që përfiton sukses shpesh. Vendet balltike e Ballkanit janë në kërcënim serioz”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas propozoi një bashkëpunim konkret jo vetëm me vendin tonë, por të gjithë aleancën për prodhimin e municioneve dhe tha se kishte gati njëe projekt të cilin propozoi ta diskutojnë në një samit në Kiev për të folur për sigurinë.
“Jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve bashkë me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë i qeverisë sonë do të prezantojë të gjitha detajet. Ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për sigurinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo një nga kryeqytetet tuaja”, tha Zelensky.
Një mesazh dha dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.
“Jemi gati të rikthejmë palët në tryezën e negociatave, ashtu siç e bëmë në fillim të luftës në Stamboll. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, ndonëse asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të vendosur paqen. Unë vijoj që të ruaj vizionin tim për të pasur një paqe të gjatë për t’i zgjidhur gjërat me diplomaci dhe t’i japim një shans dialogut”, tha Erdogan.
Mes liderëve 8 që erdhën në Tiranë mes të cilëve dhe Presidentja e Kosovës ishte i pranishëm dhe që dha pëlqimin për deklaratën e përbashkët në mbështetje të Ukrainës dhe presidenti serb që ende nuk ka pranuar asnjë sanksion për aleaten e vjetër Rusinë.
Ndërsa përmes video-mesazheve samitin Ukrainë-Europa Juglindore e përshëndetën dhe kryeministri rumun, ai grek si dhe presidenti turk. Ky i fundit foli sërish për negociata për të ulur në tryezën e dialogut Ukraninë dhe Rusinë.
Tv Klan