Sandër Lleshaj flet për atentatin ndaj Arjan Ndojës

Sandër Lleshaj flet për atentatin ndaj Arjan Ndojës

23:01 11/11/2019

Nga studio e “Opinion”, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke folur për herë të parë për atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja tha se lajmi shumë i madh është që policia arriti të identifikonte një prej autorëve të kësaj ngjarje.

I pyetur nëse ka një pistë sa i përket objektivit të këtij atentati, Lleshaj tha se ato do të dalin kur prokuroria të konkludojë hetimet.

Lleshaj tha se nuk është e qartë ende nëse prokurori është goditur për shkak të detyrës ose jo dhe se kjo do të dalë kur prokuroria të konkludojë hetimet.

Klodiana Lala: U godit një prokuror, në momentin që ishte në valën e akuzave që vinin nga Kryeministri dhe Zv/Kryeministri. Deri më tani, a keni arritur ta ndani ju dhe keni një ide të qartë që është goditur prokurori për shkak të detyrës, apo personi që e shoqëronte.

Sandër Lleshaj: Për këto çështjet e detajeve hetimore jeni ju që duhet t’ju pyes sepse mund të dini ju më shumë se ju. Sepse mesa kam parë në publikimet tuaja ju jepni detaje që unë nuk i di.

Blendi Fevziu: Nëse Ministri i Brendshëm nuk i di këto detaje është shqetësuese besoj.

Sandër Lleshaj: Jo , Ministri i Brendshëm nuk duhet t’i dijë detajet e hetimit dhe nuk duhet të fusë hundët. Dhe unë nuk i përziej duart dhe nuk i fus hundët në detajet e holla hetimore, sepse çështja është në hetim, ne të gjithë e dëmtojmë çështjen, kushdo që jep, detaje operacionale apo të dosjes hetimore, e dëmtojnë sepse është një dosje shumë serioze.

Blendi Fevziu: Është goditur një prokuror i republikës, në mes të autostradës, në mes të ditës.

Sandër Lleshaj: Ne ende nuk e dimë, sepse këtë do ta dijë prokuroria kur të konkludojë, nëse është goditur si prokuror apo është goditur si individ. Kjo ende nuk është e qartë.

Blendi Fevziu: Kush e ndan prokurorin nga individi për sa kohë ai mban statusin.

Sandër Lleshaj: Nëse është goditur për shkak të cilësive të prokurorit, apo është goditur për arsye të tjera që nuk lidhen me prokurorin.

Klodiana Lala: A keni ju paraprakisht një pistë ku po hetohet?

Sandër Lleshaj: Ka një lajm shumë të madh. Lajmi shumë i madh është fakti që policia e shtetit arriti në një kohë rekord të sigurojë prova të pakundërshtueshme, të cilat identifikojnë autorët e këtij krimi.

Blendi Fevziu: Por jo shkakun.

Sandër Lleshaj: Shkakun jo, por kemi arritur të identifikojmë, ata jo unë, me prova të pakundërshtueshme të paktën njërin prej autorëve./tvklan.al




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi