Për herë të dytë radhazi, demokrati Bernie Sanders kandidon për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara. Në një email drejtuar mbështetësve të tij, Senatori i Vermontit, tha se tashmë është koha të plotësojë “revolucionin politik” që ata kanë nisur.

Sanders është një prej kritikëve më të fortë të Donald Trump. Ai e përshkuan presidentin një “gënjeshtar patologjik” dhe një racist.

77-vjeçari humbi duelin në primaret e demokratëve në vitin 2016, përballë Hilari Klintonit. Por që nga ajo kohë, figura e tij politike mori një zhvillim të madh. Ndryshe nga 3 vjet më parë kur hyri në garë si një alternativë protestuese e politikës së vjetër, Berni Sanders është kthyer tashmë në një prej politikanëve më të famshëm. Disa nga propozimet e tij më të njohura janë zgjerimi i mëtejshëm i politikave mjekësore dhe arsimi i lartë falas, që kanë marrë përkrahje të gjerë brenda demokratëve.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, mund të kenë një tjetër surprizë. Zëra të afërt me familjen Clinton kanë bërë të ditur më herët për mediat, se edhe Hilari Klinton mund të rikandidojë për Shtëpinë e Bardhë.

Tv Klan