“Jam informuar nga zbulimi, por refuzoj çdo ndihmë nga Moska”

Zbulimi amerikan lëshon një tjetër alarm mbi përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të Nëntorit. Pas publikimit në media të dyshimeve se Moska po ndihmon Donald Trampin të sigurojë një mandat të dytë presidencial, Uashington Post shkruan se zyrtarët rusë po përpiqen të lidhin kontakte edhe me stafin elektoral të Berni Sandersit, pretendentit demokrat për kandidaturën presidenciale. Sipas burimeve të kësaj të përditshmeje, Rusia kërkon ta ndihmojë Sandersin në fushatën elektorale.

Kandidati demokrat pranoi se ishte në dijeni të përpjekjeve ruse, pasi ishte informuar muajin e kaluar nga zyrtarët amerikanë të zbulimit. Megjithatë, duke folur përpara gazetarëve në Kaliforni, Sanders refuzoi çdo ndihmë nga Rusia.

“Zoti Putin është bandit, është një autokrat. Mund të jetë mik me Donald Trumpin, por jo me mua”, tha ai.

Të premten, shtypi amerikan shkruante se agjencitë amerikane të zbulimit i kishin dërguar komisionit të inteligjencës në dhomën e ulët të Kongresit një raport, ku konstatohej se nga Moska kishte nisur një fushatë propagande dhe dizinformimi në përpjekje për të ndikuar në fitoren në presidencialet e Nëntorit të kandidatit që i leverdis Rusisë. Këto akuza u hodhën poshtë nga Kremlini.

Tv Klan