Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Komisioneri i Përkohshëm për median në Kosovë, ka vendosur që të ndërmarrë sanksione ndaj gazetës “Dita”. Një artikull i datës 26 Qershor që përmbante informata personale dhe një artikull tjetër i kësaj date, ku botuesi i gazetës Belul Beqaj, deklaronte se ai do të vazhdonte të publikonte emrat e serbëve të akuzuar për krime lufte, ka bërë që këtë herë përfaqësuesit e huaj në Prishtinë të kërkojnë publikimin e një përgjigjeje.

Komisioneri i përkohshëm për median, urdhëroi gazetën Prishtinase “Dita”, që të publikojë përgjigjen e një individi, emri i të cilit doli në shtyp në botimin e 26 Qershorit të kësaj gazete. Artikulli u konsiderua se shkelte rregulloren për mediat, e nxjerrë para pak kohësh.

Nëse gazeta nuk i bindet urdhrit do të gjobitet me një mijë marka gjermane për çdo ditë në pesë ditët e para të mos pagimit. Nëse ky vendim do të vazhdojë të mos zbatohet atëhere “Dita” duhet të paguajë tre mijë marka gjermane për çdo ditë të vonesës dhe nëse përsëri nuk do të ketë përgjigje nga gazeta “Dita” atëhere veprimtaria e saj do pezullohet.  

Në rregulloren e nxjerrë nga administrata e OKB-së, theksohet se është i ndaluar publikimi i informatave të cilat do të mund t’i kërcënonin një personi jetën apo sigurinë./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori