Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian i hapin rrugën miratimit të një pakete të re sanksionesh për Moskën, për luftën në Ukrainë. Diplomatët e 27 vendeve anëtare miratuan në parim me nismën e presidencës belge, listën me 200 emra biznesesh dhe individësh të lidhur me sulmin rus në Ukrainë, me të cilët vendet e unionit nuk lejohen të kenë asnjë kontakt dhe i sekuestrohet çdo pronë.

Lista përfshin për të parën herë edhe kompani nga Kina, Uzbekistani e Irani.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha përmes rrjetit X se paketa e vështirëson edhe më shumë furnizimin e Rusisë me dronë, një prej armëve kryesore të përdorura nga Moska në luftën në Ukrainë. Paketa pritet të marrë miratimin përfundimtar në samitin e 24 Shkurtit, kur përkujtohet 2-vjetori i nisjes së luftës.

Dronët u përdorën nga rusët edhe gjatë orëve të fundit në Ukrainë, ku nga 19 të dërguar për sulme, ushtria ukrainase rrëzoi 13 prej tyre. Po ashtu ukrainasit sulmuan me sistemin amerikan të raketave Himars, një bazë stërvitore ruse në Donjeck, duke vrarë 60 persona.

Tv Klan