Administrata e Presidentit Biden vendosi të enjten sanksione të ashpra ndaj ekonomisë ruse, në formë ndëshkimi ndaj Kremlinit për fushatën e spiunazhit kibernetik ndaj Shteteve të Bashkuara nëpërmjet sulmit ndaj kompanisë SolarWinds, si dhe përpjekjet për të influencuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten sanksionet që ndëshkojnë Moskën për sulmet e dyshuara kibernetike, ndërhyrjet në zgjedhje dhe veprime të tjera keqdashëse. Presidenti Joe Biden e njoftoi Presidentin rus Vladimir Putin gjatë një telefonate në fillim të kësaj jave, ndërsa gjithashtu e ftoi atë në një samit këtë vit në Evropë.

Aty ku ka interes për Shtetet e Bashkuara të punojmë me Rusinë, ne duhet të punojmë, dhe kështu do të veprojmë. Kur Rusia kërkon të shkelë interesat e Shteteve të Bashkuara, ne do të përgjigjemi. Ne gjithmonë do të qëndrojmë në mbrojtje të vendit tonë, institucioneve, njerëzve dhe aleatëve tanë“, tha Presidenti Biden.

Shtetet e Bashkuara po dëbojnë 10 diplomatë rusë dhe po vendosin sanksione ndaj 32 subjekteve dhe individëve të dyshuar si të përfshirë në përpjekjet e Moskës për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 për të ndihmuar ish-Presidentin Donald Trump. Në të njëjtën kohë, administrata thotë se dëshiron një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë.

Ne do të shohim sërish një kalibrim dhe një kombinim të konfrontimit dhe të përpjekjes për të krijuar nxitje për një lloj angazhimi në fusha që janë të rëndësishme edhe për Moskën. Kështu, për shembull, dialogu i stabilitetit strategjik me Shtetet e Bashkuara, është diçka që Putini e vlerëson – të qenit të përfshirë, ruajtja e një vendi në tryezë dhe bisedimet në Afganistan dhe me Iranin. Kështu që, mendoj se duke i kalibruar të dyja këto mënyra, mund të përpiqesh të krijosh një kuadër për marrëdhënien“, thotë Andrea Kendall-Taylor, nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane.

Për herë të parë, Uashingtoni po fajëson Moskën për sulmet kibernetike nëpërmjet kompanisë SolarWinds të zbuluara në dhjetor në agjencitë dhe kompanitë federale amerikane.

Ka disa shqetësime se ekzistojnë dobësi që nuk u shfrytëzuan nga sulmi mbi SolarWinds. Dhe nëse Rusia do t’i shfrytëzonte këto, mendoj se mund të vazhdojmë të shohim kundërpërgjigje ndaj agjencive ruse të inteligjencës, ndoshta kundër figurave të qeverisë ruse dhe familjeve të tyre, gjë që është kërkuar nga shumë ekspertë të sanksioneve“, thotë Nina Jankowicz, nga Qendra Wilson.

Sanksionet e kaluara nuk kanë arritur të zmbrapsin Moskën. Këtë herë, Presidenti Biden po rrit presionin duke ua ndaluar institucioneve financiare amerikane të tregtojnë bono thesari ruse të emërtuara në rubla në tregun primar. Shtëpia e Bardhë la të kuptohet se mund të ndalojë tregtinë edhe në tregun dytësor nëse është e nevojshme.

Kjo do të thotë se shumica dërrmuese, ose mbi 80% e borxhit sovran të Rusisë, pjesa në rubla, ishte e paprekur nga sanksionet tona. Tani kemi bërë një lëvizje në këtë drejtim. Por përsëri, ne kemi mundësi maksimale për të ecur përpara”, tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Kremlini i mohon akuzat.

Një sjelljeje të tillë agresive është e sigurt se do t’i kundërvihemi me vendosmëri. Një përgjigje ndaj sanksioneve është e pashmangshme“, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.

Sanksionet erdhën mes rritjes së pranisë ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës, ku një konflikt mes forcave qeveritare dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia vazhdon prej shtatë vitesh. Masat kanë për qëllim gjithashtu të ndëshkojnë Moskën për njoftimet se ofroi shpërblim për sulmet kundër personelit ushtarak amerikan dhe të koalicionit në Afganistan./VOA