Një ditë e zezë për “Lirën” monedhën kombëtare të Turqisë, që pësoi një rënie drastike prej 20 % në 24 orët e fundit.

1 USD – 6.39 Lira Turke

Goditjen ia dha njoftimi në Twitter i Presidentit amerikan, Donald Trump, ku thoshte se kishte autorizuar vendosjen e tarifave të importit me 20% të aluminit dhe 50% për çelikun turk. “Marrëdhëniet tona, këtë herë nuk janë të mira” – shkroi Trump në postimin e tij.

 

Kursin e rënies drastike, lira turke e ka nisur ditët e fundit pas vizitës së dështuar të delegacionit qeveritar turk në Uashington. Qëllimi i vizitës ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve për pastorin amerikan Endrew Branson, i cili mbahet në burg në Turqi me akuzat për pjesëmarrje në organizatat gyleniste të akuzuara për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit të Korrikut 2016.

Gjatë ditës presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e konsideroi situatën, pasojë të fushatave ndërkombëtare, që sipas tij synojnë të godasin Turqinë. Qytetarëve u bëri thirrje të mos bien në panik nga rënia drastike e lirës.

“Mos harroni; nëse ata kanë dollarët, ne kemi njerezit tanë, drejtësinë tonë dhe Allahun”, u shpreh kreu i shtetit turk.

Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë kërkesën e Turqisë, që pastorin amerikan ta shkëmbejnë me klerikun Fetullah Gylen, rivalin kryesor të Presidentit Erdoan, i cili jeton prej vitesh në arrati në Pensilvani.

Tv Klan