Sapo kishte lindur vajzën… (Emisioni 5 – Sezoni 3)

Sapo kishte lindur vajzën… (Emisioni 5 – Sezoni 3)

17:00 05/06/2011

Histori me zhurmues – Në vitin 1959 ushtari me emrin Hajdar Beqir Hoxha nga fshati Larushë i Fushë-Krujës u vra në kufi.

15 ushtarë grekë në atë kohë kaluan kufirin dhe u futën në tokën tonë dhe zunë vend poshtë një skarpate. Ata kishin vënë në shenjë patrullën që ishte me shërbim dhe hapën zjarr ndaj tyre dhe lanë të vrarë ushtarin Hajdar Beqir Hoxha.

Rukie Hoxha, ish-gruaja e Hajdar Hoxhës ishte në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, nga ku me lot në sy rrëfeu historinë e saj.

“Më 8 Tetor 1957 Hajdari iku ushtar. Po atë natë na vjen lajmi se kishte arritur në Korçë. Unë isha nuse e re dhe e kam përjetuar largimin e tij nga shtëpia. Ngjarja ndodhi në vitin 1959 dhe gjatë kësaj periudhe ne jemi takuar vetëm 2 herë. Kur mora vesh se e kishin çuar Hajdarin në kufi kisha një parandjenjë të keqe që nuk do ta takoja më. Ai më shkruante vazhdimisht letra. Një ditë na erdhën në shtëpi disa njerëz, unë dola jashtë dhe pak më vonë dëgjoj vjerrën duke bërtitur e duke qarë. Shkova aty dhe një dhëndri jonë më tha Hajdari është vrarë në kufi. Aty filloi vaji. Në atë kohë ishin të rralla vrasjet e ushtarëve. Më pas u bë varrimi.

Disa kohë më vonë familja ime dhe e Hajdarit vendosi që unë të martohesha me vëllanë e tij Haxhiun, të cilin nuk e njihja, sepse edhe ai kishte ikur ushtar. Pavarësisht varfërisë ne kemi kaluar mirë, nuk kishim grindje. Unë linda edhe 6 fëmijë të tjerë me të”, tregoi Rukie Hoxha.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv




UKT
Grupi
LAJMET

Të ngjashme


UKT
Grupi