Që në hyrje të “X Factor”, që këtë të Premte në Televizionin Klan premton mjaft surpriza dhe performanca emocionuese, moderatorja Alketa Vejsiu vendosi që t’i kushtonte disa fjalë të ndjera të gjithë mësuesve në trevat shqiptare. Në këtë 7 Mars ajo falenderoi të gjithë arsimtarët për punën e palodhur dhe kontributin e vyer që japin për edukimin e brezave të rinj.
Por, Vejsiu nuk harroi të jepte dhe lajmin e gëzueshëm. Televizioni Klan në programacionin e tij një vëmendje të veçantë u kushton dhe fëmijëve dhe emisioneve edukative. Prandaj përveç “X Factor Kids” po punohet dhe për nisjen e një programi mjaft të dashur.
Bëhet fjalë për “Piter Pan”. Moderatorja bëri të ditur se emisioni pritet të nisë sezonin e tij të 8-të në Prill, ndërkohë që më 15 Mars prindërit janë të ftuar që të sjellin fëmijët e tyre për audicione.
“Kemi dy punë dhe dy produksione shumë të mëdha. E para do të jetë ‘X Factor Kids’ që do të ketë fëmijë nga mosha 6 deri në 12 vjeç, që kanë talent këndimin, të këndojnë. Kjo është punë që është përfunduar dhe kasti është përzgjedhur, por lajmi i dytë i mirë është që ‘Piter Pan’ nis sezonin e 8 të suksesshëm dhe nis fluturimin në Prill. Sapo të përfundojë ‘X Factor-i’ i madh do të nisë ‘Kurthi i Piter Pan’ dhe rrugëtimi i gjithë fëmijëve që duan të bëhen prezantues dhe njerëz që komunikojnë me publikun. Ndaj në datën 15 të këtij muaji, 15 Mars ne nuk presim më fëmijë të vegjël këngëtarë, por fëmijë të vegjël llafazanë si puna ime. Që komunikojnë dhe prindërit, nëna e gjyshërit i kanë evidentuar dhe i kanë kuptuar që ata e kanë atë faktorin X, janë spontanë dhe të lezetshëm”, tha Alketa Vejsiu./tvklan.al