Fëmijën e parë që solli në jetë e mbajti shumë pak në duar, e më pas iu zhduk për plot dy muaj.

Noor Reyhan e lindi djalin e saj më 6 Tetor në spitalin Al-Shifa të Gazës, një ditë para nisjes së konfliktit Izrael-Hamas.

“Doktorët e futën menjëherë në inkubator dhe nuk e pashë më. Kam vetëm një foto të tij”, shprehet 20 vjeçarja.

Kur forcat izraelite nisën të bombardojnë Gazën, Noor dhe bashkëshorti i saj Huthaifa Marouf e dinin se zona e tyre do të ishte në target. Kështu që ato morën rrobat dhe u larguan nga shtëpia. Shkuan si refugjatë në një shkollë në kampin Nuseirat, ku Noor u detyrua të flejë sipër një batanije të hollë në dyshemenë e një klase, bashkë me 40 persona të tjerë.

“Shtëpia jonë u shkatërrua që javën e parë të luftës. Edhe dhoma që kishim përgatitur për bebin u shkatërrua.”

Ata u përpoqën ta marrin me vete në kamp të porsalindurin, por mjekët u thanë se jeta e tij do ishte në rrezik. Plus, që sipas ligjeve të luftës: spitali është vendi më i sigurt!

Djalin e quajtën Ayman, që do të thotë bekim ose fat. Por për të nuk morën vesh gjë për javë të tëra. “Nuk e dinim a ishte ende gjallë!”

“Bebet që u lanë pas”

Në javën e dytë të Nëntorit, forcat e Izraelit sulmuan me bomba edhe spitalin Al-Shifa, duke terrorizuar familje të tëra që kishin të afërmit e shtruar. Mes shumë bebeve të porsalindura në këtë spital, ishte Ayman dhe dy vajza binjake Rateel dhe Raseel. Njëjtë si Noor dhe Huthaifa, edhe prindërit e dy vajzave u larguan nga spitali me duart bosh!

Është e vështirë të imagjinosh që nëna të reja që mezi e kishin pritur këtë moment shenjues, të iknin direkt pas lindjes nga spitali pa fëmijët e të niseshin në një rrugë të gjatë drejt jugut të Gazës.

“Për javë me radhë nuk e dinim se ku ishin vajzat tona”, shprehet Sawsan Abu Odeh. “Telefonuam çdo spital, por nuk na jepnin informacion të saktë.”

Prindërit e foshnjave thonë se u tronditën kur në morën vesh lajmet për dhjetëra fëmijë të vdekur në spital. Noor e përshkruan si një ferr në Tokë të gjithë përjetimin e saj.

“Depresioni im i paslindjes kishte kapur kulmin, gjendja ime mendore s’ishte në rregull. Kisha kaq shumë frikë për djalin tim.”

Ditën që spitali u rrafshua, Noor e humbi çdo shpresë. Por falë Zotit, më 19 Nëntor i raportua se 39 bebe u transportuan në një spital në Rafah.

I ati i djalit thotë se mezi e njohu vogëlushin i cili mbante emrin në dorë. “Kockë e lëkurë! Ishte i shëndetshëm, por shumë i dobët. Po vrisja mendjen si ia doli ai të mbijetojë në gjithë zhurmën e bombave, si ia doli të marrë frymë me gjithë ato peripeci.”

Më 20 Nëntor, erdhi lajmi i mirë: Fëmijët do transferoheshin në Egjipt. Ministria e Shëndetësisë i shënoi emrat e Noor dhe burrit të saj në listën e udhëtarëve emergjentë. Ata e kaluan kufirin dhe më në fund ndodhi takimi i shumëpritur.

“Shpresojmë që lufta të mbarojë e ne të kthehemi në Gaza”, thotë Noor. Edhe dy vajzat binjake të Sawsan janë shëndosh e mirë dhe ndodhen në Kajro. /tvklan.al