Objekti i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës

Duke nisur nga kjo e enjte “Sarajet e Toptanëve” kaluan zyrtarisht në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Lajmin e bëri të ditur vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili publikoi edhe VKM-në shpronësimit të këtij objekti i cili është shpallur monument i kulturës i kategorisë së parë.

 “Me vendim të qeverisë shqiptare, nga sot, ndërtesa e Sarajeve është pronë e Bashkisë së Tiranës si muze i qytetit që do evokojë traditën, si dhe historinë diplomatike. Bashkia e Tiranës i paguan 2.5 mln USD pronarëve për ndërtesën monument kulture – një precedent historik!” shkruan Veliaj.

Vendimi për shpronësimin e u miratua një javë më parë nga qeveria dhe ai përcakton se ky objekt do të kthehet në një hapësirë që do i kushtohet artit dhe kulturës në kryeqytet.

Vendimi i qeverisë shqiptare erdhi pas kërkesës së parashtruar nga Bashkia e kryeqytetit për “Restaurimin dhe Rijetësimin” e godinës në gusht të këtij viti.

Sarajet u ndërtuan në vitet 1830 dhe janë ndër të paktat godina të ruajtura që tregojnë ndërtimet feudale të kohës. Në vitet ‘20 të shekullit të kaluar ato shërbyen si legata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.

Mbrëmjen e 17 gushtit një zjarr përfshiu ndërtesën e Sarajevë në të paktën 2 vatra, ndërsa autoritetet shtetërore bën të ditur se ai ishte i qëllimshëm.

Tv Klan