Veliaj: Ky aktivitet është vetëm sipari i aktiviteteve në një shtëpi të re kulture

Bashkia e Tiranës nuk ka humbur kohë, menjeherë sapo ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë që Sarajet e Toptanëve kalojnë në pronësi të bashkisë, ka zhvilluar aktivitetin e parë kulturor në këto ambiente.

Promovimi i librit “Tokë e premtuar”, vëllimi i parë i biografisë presidenciale të Barack Obama, ka mbledhur mbrëmjen e së enjtes në “Sarajet e Toptanëve”, ish-rezidenca e parë amerikane në Shqipëri, personalitete të artit, kulturës, gazetarisë dhe politikës. Kryebashkiaku Veliaj tha se ky objekt do kthehet në Muzeun e ri Etnografik.

“Më vjen mirë që sot kjo ndërtesë, e cila e ka aktivitetin e parë publik si pronë publike, sot do të jetë një mundësi e hapur për të parë se si ne mund të ruajmë ato gjurmë të qytetit që janë realisht të vlerësuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës si ndërtesa me vlera. Ndoshta 2500 shtëpi të mbrojtura ne nuk mund t’i shpronësojmë, pasi nuk ka kurrë një buxhet të tillë, por unë besoj që në interesin publik ky është një çmim që ia vlen”.

Veliaj tha se shumë shpejt një tjetër monument kulturore do kalojë në pronësi të bashkisë.

“Shpronësimi tjetër do të jetë ish-Instituti i Histori-Gjeografisë, apo siç njihet ndryshe, “Shtëpia e Libohovitëve” që është ngjitur me pjesën e kalasë dhe tashmë është restauruar nga Bashkia e Tiranës. Dhe më vjen mirë që më në fund do të kemi disa elementë në zemër të qytetit që do të ruhen nga shteti, jo vetëm me një pllakatë, por edhe me fonde publike dhe menaxhim e me mirëmbajtje publike”.

Ceremonia e promovimit të librit të Presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara u organizua në kuadër të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA.

Klan News