Klosi: Mbetjet shndërrohen në të ardhura për Bashkinë

Saranda do të jetë një nga qytetet bregdetare që brenda dy muajsh do të ketë gati impiantin e riciklimit të mbetjeve. Punimet u inspektuan nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi i cili vuri në dukje se ky investim do të mbajë pastër qytetin dhe do të gjenerojë të ardhura.

“Është një nga parimet dhe gjithë ekonomitë që trajtojnë mbetjet urbane në çdo vend të Bashkimit Evropian që mbetjet nuk janë një problem për bashkitë por janë dhe një burim të ardhurash. Prandaj Bashkia e Sarandës e mbështetur nga projekti GIZ realizoi këtu një impiant të riciklimit të gjithë mbetjeve të riciklueshme të prodhuara nga qytetarët e kësaj bashkie por dhe nga sezoni turistik për të pasur një mundësi, që këto mbetje të rikthehen në një të ardhur për vetë bashkitë”.

Kjo zonë prodhon 9 mijë ton mbetje, 27 përqind të riciklueshme. Pritet që ndërtimi i qendrës të përfundojë në fund të muajit Prill. Ndërkohë që bashkia deri në fund të vitit do të mund të grumbullojë e përpunojë mbetjet e riciklueshme.

Tv Klan