Ish – Presidenti francez Nikola Sarkozi është vënë nën hetim nga prokuroria e Parisit për aferën “Bygmalion”, lidhur me financimet e fushatës së tij presidenciale të vitit 2012.

61 – vjeçari është thirrur nga prokuroria nën cilësinë e “dëshmitarit të asistuar” në lidhje me skandalin, çka për momentin nuk e vendos atë në ndjekje penale.

Prokuroria pariziene saktësoi se akuzat që rëndojnë mbi këtë aferë janë ato të falsifikimit të fondeve, mashtrimit si edhe abuzimit me besimin.

Kompania franceze e marrëdhënieve me publikun dyshohet se ka falsifikuar faturat financiare gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012, për të fshehur kostot dhe për të mos kaluar tavanin e shpenzimeve elektorale prej 22.5 milionë eurosh, që është i fiksuar me ligj në Francë.

Afera “Bigmalion”, që mban emrin e shoqërisë që organizonte fushatën, ngre edhe një herë pikëpyetjet mbi një sistem të gjerë financimesh të paligjshme.

Sipas mediave franceze, vë në rrezik ambiciet e ish – Presidentit për t’u ringjitur në pushtet në zgjedhjet e 2017 -ës.

Tv Klan