Deklaratave të forta të SHBA-së dhe BE-së kundër veprimeve të qeverisë së Kosovës në veri të vendit iu është bashkua këtë të shtunë edhe Gjermania.

I dërguari i posaçëm i Berlinit, Manuel Sarrazin, mbërriti me urgjencë në Prishtinë pas tensioneve të krijuara të premten në veri. Ai u takua me komandantin e KFOR-it dhe kryeministrin Kurti. Sarrazin udhëtoi edhe drejt Mitrovicës ku ishte i ashpër me Kosovën duke thënë se Bashkësia Ndërkombëtare nuk do të lejojë që të hidhen poshtë arritjet e marrëveshjes së Ohrit. “Porosia jonë është se ne nuk do të lejojmë që këto mundësi nga marrëveshja e Ohrit të hidhen poshtë nga ndonjë budallallëk”, tha Sarrazin.

E teksa ishte në Mitrovicë ai vizitoi edhe Urën e Ibrit, që e ndan qytetin në dy pjesë. Gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha raporton se Sarrazin qëndroi në automjet për rreth 15 minuta. Më pas, sipas gazetares ai pati një videocall dhe i tregoi këtë urë personit në anën tjetër të telefonit.

I pyetur nga gazetarja e Tv Klan, se cilat ishin pritshmëritë e tij nga takimi që zhvilloi me Kurtin ai nuk pranoi të komentonte./tvklan.al