Milan bafasoi Juventus duke e mundur 4 – 2 në sfidën e javës së 31 të Serie A e luajtur të martën në “San Siro”.

Skuadra kryesuese e kampionatit italian nuk arriti të marrë pikë të vlefshme që do ta shkëpusnin më shumë nga ndjekësit.

Takimi u ndez në pjesën e dytë ku u shënuan të gjithë golat. Milan përmbysi avantazhin 2 – 0 të Juventus, duke ia dalë të marrë fitoren që i jep shpresë për zonën europiane. Trajneri i Milan, Stefano Pioli vlerësoi unitetin e grupit.

“Renditja nuk reflekton cilësitë tona, por jemi të bashkuar gjatë vështirësive dhe ekipi është mirë nga ana psikologjike. Jam i kënaqur edhe pse ka shumë punë për të bërë, duhet të zhvillojmë edhe 7 ndeshje, ku do të luajmë gjithçka për gjithçka”.

Maurizio Sarri i Juventus thotë se duhet menduar për sfidën e radhës.

“Kemi zhvilluar një lojë me nivel të lartë për 60 minuta. E kishim ndeshjen në kontroll, pastaj u bllokuam, por nuk duhet ta mendojmë, pasi për 3 ditë kemi një tjetër ndeshje”.

Ndërkohë Lazio nuk shfrytëzoi këtë ndalesë dhe pësoi një tjetër humbje, kësaj here në fushën e Lecce me rezultatin 2 – 1. Diferenca me Juventus mbetet po 7 pikë.

Tv Klan