“Tirana e shkupi nuk duhet t’i humbin shpresat”

Presidenti i Parlamentit Europian, ka vizituar sot Shkupin. Ai ka shprehur edhe njëherë keqardhjen që Këshilli Europian nuk gjeti dakordësinë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut, më pas edhe Shqipëria janë dy vendet e para që viziton kryetari i ri Parlamentit Evropian, italiani David Sasoli, i cili sot në Shkup u takua me kreun e shtetit dhe bisedoi edhe me një grup të rinjsh. Ai me shumë keqardhje përkujtoi shansin e lëshuar që vendi të fillojë negociata aderuese me BE-në, muajin e kaluar, por edhe me shumë entuziazëm theksoi se procesi duhet të fillojë sa më shpejt, madje edhe deri në fund të këtij viti, siç deklaroi në takimin me nxënësit e shkollave të mesme, në info-qendrën e BE-së.

Cila është pengesa kryesore që Maqedonia e Veriut të fillojë negociata aderuese me BE-në? A duhet të priten edhe pengesa të tjera, dhe a është vendi i gatshëm për anëtarësim në këtë moment? Këto ishin pyetjet e para nga një grup i nxënësve të shkollave të mesme për kryetarin e ri të Parlamentit Evropian, italianin David Sasoli, në debat në info-qendrën e BE-së në Shkup. Të gjitha përgjigjet ishin përplot me optimizëm dhe keqardhje të thellë që negociatat aderuese nuk filluan deri tani.

“Ne jemi të bindur se Maqedonia e Veriut është e gatshme për fillimin e negociatave aderuese, e pamë se u bënë reformat e shumta shoqërore, por edhe kushtetuese, të cilat sipas nesh hapin mundësi që ky proces të fillojë, madje e ndryshuat edhe emrin, u bë jashtëzakonisht shumë që të fillojë dialogu me vendet tjera, por edhe negociatat aderuese. Përsëris se sipas Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme ta fillojnë këtë proces, nuk presim që të ndodhë diçka tjetër”.

Ambasadori i BE-së në Shkup Samuel Zhbogar, së bashku me Presidentin Sasoli paraprakisht para studentëve simbolikisht bënë hapjen dhe ndezën dritat e Shtëpisë së Re Evropiane.

“Mirë se erdhët në Shtëpinë Evropiane. E rinovuam, e pagëzuam me emër të ri, dhe duam ta bëjmë shtëpinë tuajën. Shpresoj se këtu do të jeni të inspiruar, të motivuar, do të mësoni këtu dhe do të argëtoheni. Shpresoj se kjo do të shndërrohet në fanar të Evropës në Maqedoninë e Veriut. Disa nga të pranishmit këtë deklaratë, rreth rinovimit të shtëpisë evropiane,  e interpretuan si mesazh Presidentit francez Emanuel Macron, i cili veton e tij për procesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e arsyetoi pikërisht me nevojën për rinovim dhe vendosjen e rregullave në shtëpinë evropiane, për cka Francës i duhet një kohë më e gjatë para se në të, të hyjnë anëtarë të rinj”.

Tv Klan