“Nuk është gabim historik i BE-së, vetëm pauzë ose ngecje”

Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli, sot në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, duke folur rreth vendimit të Këshillit Evropian, për të mos dhënë “dritë jeshile” për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, theksoi se kjo nuk duhet të interpretohet  si “JO” për fillimin e procesit negociues apo gabim historik, por siç tha, ngecje historike.

“Hapësira që duhet të definohet në BE në këtë moment ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor, dhe për këtë arsye shumica prej nesh jemi të bindur se ky proces për Maqedoninë e Veriut duhet të fillojë dhe të përfundojë sa më shpejt që është e mundur. Duhet të sqarojmë se nuk ndodhi një “JO”, nuk bëhet fjalë për gabim historik, por për një pauzë”, u shpreh kryetari i Parlamentit Evropian.

Paralelisht me bindjen për të rishqyrtuar qëndrimet e vendeve në mëdyshje të BE-së, Sassoli edhe sot theksoi se Brukseli pret reforma të mëtejshme në vend, pa u tërhequr nga ato që tashmë janë bërë në emër të integrimit euro-atlantik, si për shembull ndryshimi i emrit kushtetues të vendit.

“Nuk duhet t’ju vijë keq për këtë, kjo është çështje shumë e rëndësishme me të cilën duhet të krenoheni, e tregon guximin tuaj, dhe do t’ju mundësojë jo vetëm të kërkoni negociata aderuese por edhe të anëtarësoheni në NATO. Këto dy momente do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen tuaj. Ky është hap vendimtar që u tregoi të gjithëve se jeni të gatshëm për rrugë të përbashkët me ne”, u shpreh ai.

Negociatat aderuese për anëtarësim me të drejta të plota në BE janë  procese që nuk kanë alternativë për Maqedoninë e Veriut, theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi, duke shtuar se priten sinjale nga Brukseli.

“Hapat e ardhshëm duhet të jenë në drejtim të korrigjimit të kësaj padrejtësie dhe duke gjykuar në bazë të fjalëve motivuese të kryetarit Sassoli, por edhe të gjithë aktorëve relevantë, pritshmëritë nga samiti në maj janë se ky gabim historik do të përmirësohet”, tha Xhaferi.

Megjithatë, në këtë moment askush nuk mund të thotë nëse dhe kur do të ndodhë “përmirësimi i gabimit” që e minon rajonin e Ballkanit Perëndimor, për çka shumë politikanë dhe analistë evropianë dhe amerikanë fajësojnë presidentin francez Emmanuel Macron. Gazeta britanike “Financial Times” përkujton edhe zërat se qëllimi i vërtetë i Francës është “përgjithmonë t’i mbyllë dyert e BE-së për vendet e rajonit dhe t’u ofrojë anëtarësim në zonën ekonomike Evropiane”, pa pjesëmarrje në vendimmarrjen politike në Bruksel, me çka do të mbeten “Evropianë të nivelit të dytë”. 

Tv Klan