Agjencia Hapësinore Europiane, ESA, lëshoi këtë të mërkurë në hapësirë satelitin Aeolus, nga Guaiana franceze në Amerikën e Jugut.

Aeolus zotëron një teknologji unike me lazer, që do të përllogarisë me saktësi shpejtësinë dhe lëvizjet e erës përreth globit. Misioni i satelitit të ESA-s mishërohet në vetë emrin e tij. Aeolus, në mitologjinë greke ishte një personazh që priste erën.

Astronautët e Agjencisë Europiane të Hapësirës shprehen të emocionuar. Ndonëse i zhvilluar, parashikimi i motit ka ende vend për t’u zhvilluar. Por përmes teknologjisë me lazer të matjes së erës, Aeolus është i aftë të japë informacione të sakta për shmangien nga stuhitë, uraganet apo edhe të parashikojë dukuri natyrore si fenomeni klimatik El Nino, që bëhet shkak edhe për përmbytje e zjarre.

Shkencëtarët shpresojnë që Aeolus të japë rezultatet e para në fillim të vitit të ardhshëm e të vijojë misionin e tij për rreth 3 apo 4 vite.

Tv Klan