Aktorja e famshme Scarlett Johansson ka akuzuar Shoqatën e Shtypit të Huaj të Hollywood-it për seksizëm. Në një deklaratë të lëshuar, aktorja 36-vjeçare e cila ka qenë e nominuar deri më tani për pesë “Golden Globe” është shprehur se disa anëtarë nga kjo organizatë prej vitesh kanë kryer edhe ngacmime seksuale.

Johansson ka kërkuar gjithashtu edhe nga aktorët e tjerë që bojkotojnë organizatën deri sa të bëhen ndryshime rrënjësore në këtë drejtim. Anëtarët akuzohen për sjellje diskriminuese, jo profesionalizëm, papërshtatshmëri etike dhe korrupsion financiar.

Deklarata pason kritikat e shumta ndaj kësaj organizate duke përfshirë atë nga ylli i Avengers, Mark Ruffalo, i cili është shprehur se prej vitesh shumë aktorë nuk janë krenarë apo të lumtur për përzgjedhjen që bën kjo shoqatë.

Kujtojmë se Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollywood-it ka miratuar disa ndryshime që përfshijnë punësimin e një zyrtari kryesor të diversitetit, duke theksuar rekrutimin e gazetarëve me ngjyrë.

Organizata gjithashtu votoi për të shtuar të paktën 20 anëtarë të rinj nga 87 që janë aktualisht. Ajo është zotuar të rrisë anëtarësinë e saj me 50% gjatë 18 muajve të ardhshëm. Lëvizjet pasojnë një hetim të botuar në shkurt nga Los Angeles Times që vuri në dukje se nuk kishte njerëz me ngjyrë në Bordin e Shoqatës së Shtypit të Hollywood.

Klan News