Pavarësisht nga ndryshimi i qeverisë, Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Olaf Scholz beson se liderët janë të përgatitur mirë për t’u marrë me pandeminë e koronas. Pas diskutimeve të pasdites mes federatës dhe landeve, Scholz deklaroi në televizionin publik gjerman se “tani janë marrë vendimet e duhura” dhe ripohoi se “udhëheqja është e pranishme“.

Misioni i qeverisë së re është i qartë: “Duhet të vaksinohemi, do të ngremë një shtab krizash për këtë qëllim dhe kemi nevojë për kufizime të reja kontakti për të vëzhguar ecurinë e infektimeve”.

Scholz hodhi poshtë si “plotësisht të pajustifikuara” kritikat se SPD ende nuk ka emëruar një Ministër federal të Shëndetësisë. Në të vërtetë, javën e ardhshme, tha ai, ne do të dimë se cilët burra dhe gra do të hyjnë në qeverinë federale për SPD dhe “qeveria do të mblidhet më pas shpejt dhe do të fillojë punën e saj“.

Lidhur me diskutimin për një vaksinim të përgjithshëm të detyrueshëm, Scholz foli në favor të një votimi përkatës në parlament pa disiplinën e zakonshme të grupeve parlamentare. Për çështje delikate etike është parashikuar një votim pa detyrim grupi parlamentar. Edhe çështja e vaksinimit të detyrueshëm është një çështje ndërgjegjeje, tha Scholz.

Më herët pasdite, qeveria federale dhe landet patën rënë dakord për masa të tjera shtesë për koronën në konsultime me Kancelaren Angela Merkel dhe pasardhësin e saj të caktuar. Në një dokument provizor, flitet për një “akt solidariteti kombëtar”, për të siguruar uljen e numrit të infektimeve dhe lehtësimin e sistemit shëndetësor.

Klan News