Kancelari gjerman Olaf Scholz paralajmëroi ashpërsim të qasjes ndaj refugjatëve, pas sulmit terrorist të  së Premtes në Solingen, ku një azilkërkues sirian vrau me thikë 3 persona dhe plagosi 8 të tjerë në qendër të qytetit.

Pas homazheve në vendin e masakrës, Scholz njoftoi se do të ketë nisma nga qeveria për ndryshimin e ligjeve për të përshpejtuar dhe lehtësuar dëbimin e atyre që nuk përmbushin kriteret për marrjen e azilit në Gjermani.

“Do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar që ata që nuk lejohet të qëndrojnë këtu në Gjermani, të riatdhesohen e të dëbohen”, tha Scholz.

Autoritetet gjermane thanë se 26-vjeçari sirian që kreu sulmin në emër të Shtetit Islamik, ishte në listën e të huajve që duhej të dëboheshin nga Gjermania drejt qendrave të pritjes në Bullgari që vitin e kaluar, pasi nuk i plotësonte kushtet për azil.

Dëbimi i tij dështoi pasi i riu nuk u gjend në kamp, kur autoritetet shkuan për të zbatuar urdhrin për dëbimin e tij.

Një nga mundësitë është që Gjermania të mos lejojë më hyrjen e refugjatëve në territorin e saj, por t’i grumbullojë ato në qendra pritjeje jashtë vendit.

Tv Klan