Konflikti mes dy të njohurve nga Drenasi i Kosovës, Agonit e Bekimit të cilët kanë ardhur në seancën e ndërmjetësimit “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan më në fund mbërriti në një zgjidhje të përbashkët. Makina e cila është bërë shkak për këtë mosmarrëveshje midis tyre për arsye të ndërhyrjes së një pale të tretë e cila ka ngatërruar situatën, do të kthehet.

Zonja Eni nuk ka një dokument të shkruar për kalimin e kësaj makine nga pronësia e Bekimit nën atë të zonjës që e ka marrë, Blerinës. Kjo e fundit ka nënshkruar së bashku me Bekimin një dokument ku thuhet se ajo e ka blerë, por nën një mbiemër martesor ndaj rezulton i parregullt.

Eni Çobani: Ardit, sikundër edhe ti the, sigurisht që situata sot nuk është shumë normale. Fakti është që Agoni me të drejtë kërkon diçka që ka dhënë kapar dhe thotë: “Zonja Eni, unë e pagova, jo të tërën po diçka, ndërkohë ky jo vetëm që nuk më tha, por shumë muaj më vonë kam marrë vesh që zotëria e ka shitur”. Dhe sot jemi me një mjet që e mban një zonjë e cila nuk ka paguar, pretendohet që ka bërë një dokument sikur ia ka dhuruar burri dhe ndërkohë ky është burri i një gruaje tjetër, jo i zonjës, pra ka futur edhe një problematikë tjetër zonja që na ndjek sot dhe njëkohësisht zoti Agon thotë: Unë dua mjetin”.

Ardit Gjebrea: Si e zgjidhim?

Eni Çobani: Unë e zgjidh vetëm me një gjë: do të kërkoj me insistim të marr letrën me të cilën zotëria ka bërë këtë veprim, do të goditet ai dokument sepse nëse ka gjëra të pavërteta, patjetër që do të goditet. Në momentin që ky mjet do t’i rikthehet zotërisë, në bazë të ligjit, patjetër, se nuk e kthej unë, e kthen ligji, zoti Bekim, juve e mbani premtimin për t’ia dhënë Agonit këtë mjet? Në kushte që nuk e dimë, se ka një vit që nuk e përdor zonja.

Agon: Si ta pranoj unë atë makinë kur unë nuk e di si është?

Eni Çobani: Pikërisht, por tani e do më mjetin apo jo?

Agon: Mjetin unë e dua, por ashtu si e ka marrë zonja nuk e kam marrë unë. Vetëm nga inati, atë mjet ky s’do ketë rehat derisa të ma sjellë.

Eni Çobani: Bekim, merre mjetin, shikoje, rregulloje dhe në momentin që do ta kesh si ditën që ta ka marrë zonja, atëherë më thirr prapë që ta kalojmë te Agoni.

Agon: Zonja Eni, unë makinën e dua, por zonja që e ka shfrytëzuar, shpenzimet që janë prej ditës që e ka marrë e deri më sot, unë dua t’i paguajë.

Eni Çobani: Pra, kërkon dhe lekë të tjera nga Blerina?

Bekim: Po.

Agoni, për shkak të fyerjes që ai ndien se i është bërë prej një premtimi të pambajtur ndaj tij, pasi për makinën kanë diskutuar në Dhjetor 2020, ka paguar kaparin në Shkurt 2021 dhe ende asgjë. Ai kërkon një dëmshpërblim pikërisht për këtë arsye.

Agon: Unë sa kohë që e kam pritur dhe e kam shpallur që e kam blerë, s’po vlen fjala ime?

Eni Çobani: Po pra, do ta marrësh nëse të pëlqen se ti nuk do ta marrësh kot.

Agon: Në rregull është, por ky s’më dha kurrfarë përgjigjeje.

Eni Çobani: Tani po e thotë që dashka dhe dëmshpërblim.

Agon: Më ke lënë pa makinë, duhet të ma sjellësh, më ke lënë pa makinë, të kam dërguar 2000 euro.

Bekim: Zonja Eni, dëmshpërblimin që e ka shfrytëzuar zonja…

Eni Çobani: Atë që do të marrësh ndoshta nga zonja Blerina, jepja Agonit, jepi dhe mjetin se normalisht ky ka një vit që të pret ty.

Agon: Aq sa më ka lënë pa makinë, do t’i paguajë të gjitha. Plus, makinën të ma sjellë në gjendjen që e kam provuar që kur kemi bërë Pazar.

Bekim: Zonja Eni, unë jam në rregull, jam me të, ia jap makinën dhe atë shpërblimin që e ka shfrytëzuar zonja makinën, do ia dhuroj atij dhe kështu jemi në rregull./tvklan.al